Edicioni i gjashtë i Bienales së Akuarelit ka sjellë magjinë e veprave në akuarel, duke përcjellë itinerarin jo vetëm të zhvillimit të kësaj teknike, por edhe artin në përgjithësi. Nën kurimin e Helidon Halitit, nëpërmjet aktivitetit të tij për t’i dhënë hov teknikës së akuarelit, ka mbledhur një koleksion veprash, një pjesë e të cilave pas Tiranës e Pejës janë ndalur edhe në Prishtinë
Është një vajzë bionde me flokë deri diku të krehura, bluzë të bardhë e prapavijë të kaltër. Me një xhaketë sipër krahëve, imazhi i saj vërehet se është paraqitur deri diku brenda normave të realizmit socialist në art. Daton prej vitit 1955 dhe është imazh i artistit të njohur, Agim Zajmi. Në Prishtinë ka ardhur në kuadër të veprave të punuara me teknikën e akuarelit. Punimi i Zajmit – familja e të cilit në vitet ’20 ishte zhvendosur nga Peja në Tiranë – paraqet mjeshtërinë e “piktorit të popullit” qysh në rininë e tij. Agim Zajmi më pas do të përfundonte studimet në Shën Petersburg për pikturë, skenografi e kostumografi, do të bënte alamet karriere në Shqipëri në zanatin e tij dhe profesor universitar në ditët e demokracisë, do të ekspozonte në vende të ndryshme evropiane.
Skenografitë e tij janë parë edhe në Kosovë në periudhën e monizmit, përderisa mbetet një nga penelat më domethënës së atij që është realizmi socialist. Vepra ku paraqet motrën është pjesë e dhjetëra punimeve të tjera në akuarel në ekspozitën e edicionit të gjashte të Bienales së Akuarelit.
Nën kurimin e Helidon Halitit, prej të mërkurës deri në ditën e 12-të të dhjetorit do të qëndrojnë të ekspozuara në galerinë “Open Art” në Prishtinë.

Haliti, profesor universitar në Tiranë, nëpërmjet aktivitetit të tij për t’i dhënë hov teknikës së akuarelit, ka mbledhur një koleksion veprash, një pjesë e të cilave pas Tiranës e Pejës janë ndalur edhe në Prishtinë. Natyrat e qeta, portretet e peizazhet bëjnë pjesë në punimet e artistëve nga vende të ndryshme të botës. Bëhet fjalë për një teknikë delikate që s’zë aq shumë hapësirë në këto anë. Punimet në akuarel sjellin një freski në kryeqytetin e Kosovës, pasi ekspozitat e tilla s’janë të shpeshta. Nuanca të ndryshme që nxjerrin në pah mjeshtërinë e artistëve, formojnë një mozaik prej ngjyrave të ujit, ku detajet e secilës vepër flasin për konceptet, preokupimet dhe estetikën e autorëve të tyre.
Ardian Isufi, Lefter Ceko, Pirro Stefa e Edi Kojani janë midis artistëve shqiptarë, përderisa tek ata të huaj hyjnë Alvaro Castagnet nga Uruguai, Alexandra Bryksa nga Çekia, Cesc Farre nga Spanja e të tjerë.
Artisti Helidon Haliti ka thënë se në vitin 2015, kur ka filluar Bienalen kishte premtuar se do të krijonin një koleksion shumë të vyer ky veprat do të shtegtonin pa artistët e tyre.
“Tash sjellim një koleksion të artistëve që kanë ardhur dhe kanë demonstruar punën e tyre për studentët në gjithë Shqipërinë. Madje disa prej tyre kanë qenë edhe në Kosovë. Një pjesë të koleksionit e sjellim edhe këtu”, ka thënë ai. Ka treguar se kur filluan, në Tiranë s’kishte penel e as letra akuareli, kurse tash ka nga brendet më të mira të botës.
“E njëjta gjë ndodh pa dyshim edhe në Prishtinë dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Kemi edhe artistët që vijnë nga Kina dhe këtu ka një njollë të diplomacisë kulturore”, ka thënë ai. Ka përmendur se në Shqipëri akuareli është mësuar nga Agron Dine, Skënder Kamberi, Nestor Jonuzi, Agim Zajmi e të tjerë dhe pikërisht edhe veprat e tyre janë në koleksion.
“Sjell një koleksion do të thosha diamant të gjithë këtyre maestrove e profesorëve tanë të akuarelit. Pra kemi një stafetë që e kemi marrë nga profesorët tanë dhe atë do ta dorëzojmë te brezat e rinj”, ka thënë ai. Derisa ka përshkruar veprat e ekspozuara, ka thënë se motivet janë nga ato lirike dhe më pas natyrat e qeta që është gjini e ezauruar nga artistët e akuarelit. Natyrat e qeta të Shqipërisë janë po ashtu aty të punuara edhe nga artistë ndërkombëtarë.

Krejt në hyrje të Galerisë, në anën e majtë qëndron vepra e profesorit universitar Ardian Isufi. Bëhet fjalë për një vepër konceptuale ku Isufi luan në struktura të antikitetit e kostume të asaj kohe dhe një fishek plumbi të kohës moderne. Ndërveprimi i masës me fishekun e barotit është një provokim më vete. Isufi sikur përshkruan se masa s’ka ndërruar e vetëm armët tash janë të tjera.
Ai ka thënë se Bienalja e Akuarelit është tashmë një institucion që hap pas hapi ka krijuar një traditë të prurjeve jo vetëm në këtë teknikë të rëndësishme në arte por, mbi të gjitha, edhe për idetë, konceptet e qëndrimet artistike që sjellin artistët nga e mbarë bota.
“Pa dyshim që edhe vepra ime ka një kontekst mund të themi midis paradoksit pasi flet me një imazh që i takon antikitetit, luftës dhe turmës, por edhe një moment që lidhet me momentet e luftës së këtij shekulli që duket se vetëm zmadhohet. Krijon një bashkëveprim me të gjitha veprat e tjera”, ka thënë ai. Sipas Isufit, Bienalja tashmë nuk është thjesht aktivitet që demonstron këtë gjini të rëndësishme, por edhe dialogun bashkëkohor dhe rrugëtimin nga Tirana në Pejë, Prishtinë e vende të tjera, duke qenë një ambasador i artit shqiptar mbarëbotëror.
Themeluesi e udhëheqësi i galerisë “Open Art”, Naim Spahiu, ka thënë se kjo ekspozitë është një aromë vjeshte duke e ditur që teknika e akuarelit është prej më të vështirave.

“Në kontakt me Helidonin ishte një kërkesë spontane që kjo ekspozitë të jetë edhe në Prishtinë. Është një frymëzim me vlera të pikturës në letër ose akuarelit. Është një fillim që në të ardhmen shpresojmë që në Prishtinë të vijnë shumica e mjeshtërve që kanë qenë për edicione të ndryshme të Bienales”, ka thënë ai.
Veprat e prezantuara në këtë ekspozitë prekin tema të ndryshme. I bashkon mjeshtëria jo e lehtë e teknikës së akuarelit, përderisa fakti se u takojnë artistëve të gjeneratave të ndryshme e nga vende të ndryshme, bën që ato të reflektojnë përtej kësaj ane dhe japin një përshkrim të evoluimit të kësaj teknike arti nëpër dekada.