I trefishtë është përfaqësimi i Kosovës në Festivalin e Filmit në Venecia. Aktorë e bashkëprodhime nga vendi kanë pasur dy ditët e veta në edicionin jubilar të këtij festivali. Kanë nisur me “House keeping for beginners”, ku luajnë Rozafa Çelaj e Ilire Vinca, për të vazhduar me “A Short Trip” të Erenik Beqirit nga Shqipëria, ku luajnë edhe Luana Bajrami e Arben Bajraktaraj. E është përmbyllur me “Bota jonë” të Luana Bajramit. Në premierë ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “Filmi është pritur shumë mirë dhe jam shumë e lumtur për këtë. Më të vërtetë është kënaqësi shumë e madhe”, ka thënë Rozafë Çelaj pas premierës së “House keeping for beginners” financuar edhe prej Kosovës. Mbresëlënës këtë përfaqësim e cilësojnë edhe aktorja Ilire Vinca e Blerta Zeqiri, drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës
Kinematografia e aktorët nga Kosova kanë pasur dy ditët e veta në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecia. Përfaqësimi i trefishtë i shtetit më të ri të Evropës në ngjarjen e filmit më të vjetër në botë ka nisur kur nëpër tapetin e kuq kanë kaluar aktoret Ilire Vinca e Rozafa Çelaj. Filmi “House keeping for beginners”, nën regji të maqedonasit Goran Stolevskit, si bashkëprodhim minor midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, ka pasur premierën të mërkurën pasdite. Të enjten atje Kosova e ka rritur praninë.
Filmi “Bota jonë”, nën regji e me skenar të Luana Bajramit, është dhënë premierë në kategorinë “Orizzonti Extra”. Bashkëprodhimi kosovaro-francez në 94 minuta shpalos një rrëfim të rinjsh. Bajrami ka qenë e pranishme në këtë ngjarje edhe si aktore. Është pjesë e kastës së filmit “A Short Trip” nën regji të Erenik Beqirit nga Shqipëria, që jepet në kuadër të kategorisë “Orizzonti”. Në këtë film prej 17 minutash luajnë edhe aktori nga Kosova me nam botëror Arben Bajraktaraj e edhe aktori nga Shqipëria, Tristan Halilaj. Në premierën e “Bota jonë” i pranishëm ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Të mërkurën pasdite, tapeti i kuq i edicionit të 80-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia ka pritur ekipin e filmit “House keeping for beginners”. Aktoret nga Kosova, Rozafa Çelaj e Ilire Vinca, kanë kaluar përballë fotoaparateve të botës. Më pas është dhënë premiera e filmit.
“Me pas premierë në këtë festival sigurisht që ka rëndësi shumë të madhe për mua duke e ditur që Festivali i Venecias është prej më të njohurve”, ka thënë për KOHËN aktorja Rozafa Çelaj. Sipas saj, duke pasur parasysh seriozitetin e këtij festivali, përjetimi i premierës qe kënaqësi shumë e madhe.
“Filmi është pritur shumë mirë dhe jam shumë e lumtur për këtë. Më të vërtetë është kënaqësi shumë e madhe”, ka thënë Çelaj pas premierës.
Në filmin nën regji të maqedonasit Goran Stolevskit, ajo ka treguar se portretizon një vajzë homoseksuale e cila jeton në shtëpinë e Ditës (Anamaria Minca) që shndërrohet në një hapësirë të personave të komunitetit “queer”, të cilët nuk kanë ku të shkojnë tjetër. Në të njëjtin film luan edhe e ëma e Çelajt, aktorja e ligjëruesja universitare e aktrimit, Ilire Vinca. Ajo premierën e ka përshkruar si një mrekulli më vete.
“Premiera ka shkuar për mrekulli. Atmosfera ishte fantastike. Filmi ishte shumë i mirë. Kasta e aktorëve të mrekullueshëm. Edicioni i 80-të i këtij festivali prezanton tre filma prodhime e bashkëprodhime të Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Qendrës së Filmit në Shqipëri”, ka thënë Vinca për KOHËN në një komunikim nga Venecia.
Të mërkurën në Venecia ka shkuar edhe drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës. Kurse të enjten të pranishmëve u është bashkuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Zeqiri ka treguar se prej orës 18:00 deri në 20:00 është bërë një organizim i Ambasadës së Kosovës në Itali, ku janë pritur kinematografët shqiptarë e përtej tyre.
Filmin ku luajnë Çelaj e Vinca, Zeqiri e ka përshkruar si të jashtëzakonshëm “pas të cilit me shumë krenari qëndron logoja e Qendrës Kinematografike të Kosovës”.
“Filmi flet për shtresat e harruara nga shoqëria, romët dhe komunitetin ‘queer’. Filmi u prit me duartrokitje të gjata”, ka thënë ajo.
Ka kujtuar se para 20 vjetësh kur ka qenë nëpër festivale të mëdha me filmat e saj, në secilin organizim Serbia kishte prezencë shumë të madhe me filma, aktorë e muzikë.
“Më kujtohet se atëbotë ndihesha e vetmuar dhe e lakmoja shumë prezencën e tyre. Thosha a do të bëhemi ne ndonjëherë që të jemi kaq prezent kulturalisht në ngjarje artistike. Dhe ja, tani ka ardhur ai moment, kur edhe Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi po pushtojnë skenat artistike botërore me prezencë. Kjo ma bën zemrën mal”, ka thënë ajo.
Të enjten vonë është dhënë edhe premiera e filmit të Luana Bajramit, “Bota jonë”.
“Zoé dhe Volta kanë qenë së bashku që nga fëmijëria. Ata largohen nga fshati i tyre i lindjes për të studiuar në qytet. Të sinqertë dhe plot ëndrra, ata miqësohen me një grup të rinjsh rebelë, anti-sistem dhe të vendosur për ta bërë të njohur”, shkruhet në sinopsisin për filmin “Bota jonë” të Luana Bajramit me producent Valbona Rrahmanin.
Ky projekt kinematografik është financim i Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe “Aide au Cinéma du Monde”. Rrjedhimisht është bashkëprodhim i Kosovës me Francën si filmi i parë i realizuar pas nënshkrimit bilateral të marrëveshjes për bashkëprodhim filmik me shtetin e Francës, vitin e kaluar.
Dy vjet më parë regjisorja Bajrami ia kishte dalë që me filmin e parë të metrazhit të gjatë të mbërrinte në atë që njihet si festivali i festivaleve. “Luaneshat e Kodrës” nuk ishte në garën kryesore, por në atë për “Kamerën e Artë”, që ndahet për regjisorët debutues në kuadër të programeve përcjellëse të Festivalit të Cannes.
Atë vit në garën kryesore Kosova bëri histori me filmin e shkurtër “Pa Vend” të Samir Karahodës, që garoi për “Palmën e Artë”.
Përderisa zërat e kinematografisë shqiptare asokohe në Cannes kishin përfaqësim të dyfishtë, sivjet në Venecie do të kenë përfaqësim të trefishtë.

Të enjten është dhënë edhe premiera e filmit të shkurtër të Erenik Beqirit, ku midis të tjerësh Luana Bajrami vjen si aktore dhe luajnë po ashtu aktori nga Kosova me nam botëror, Arben Bajraktaraj, dhe aktori nga Shqipëria, Tristan Halilaj.
Kosova i kthehet Festivalit të Venecias pas dy vjetësh. Më 2021 ishte e pranishme me historinë e jashtëzakonshme të një gruaje 64-vjeçare që interpreton gjuhën e shenjave në filmin “Vera andrron detin” nën regji të Kaltrina Krasniqit e me skenar të Doruntina Bashës. Ishte po në kategorinë “Orizzonti”. Kishte marrë dy çmime nga platforma që bashkëpunojnë me Festivalin. Është ajo që njihet si kinema e zgjatur “Venezia a Napoli. il Cinema Esteso” që ia kishte ndarë Çmimin e regjisë më të mirë për autorët nën moshën 40-vjeçare, Kaltrina Krasniqit. Po ky film kishte marrë edhe “Prize for the inclusion Edipo Re” (Çmimi i gjithëpërfshirjes, Edipo Re) që u jepet figurave globale të filmit që kanë dalluar veten për një qasje gjithëpërfshirëse ndaj krijimit të filmit.
Përderisa edicioni i sivjetmë është hapur me filmin “Challengers”, nën regji të italianit Luca Guadagnino, bota e kinematografisë po merr pjesë në Venecie në gjithsej tetë kategori, duke përshirë atë të filmave klasikë që janë restauruar dhe programin me projekte kinematografike që nuk janë në konkurrencë. Ngjarja në qytetin e njohur për ishujt e urat e veçanta ka nisur më 30 gusht dhe do të përfundojë më 9 shtator. Më 7 shtator ka qenë Dita e Ukrainës në Festival. Janë shfaqur projekte kinematografike të shtetit që prej shkurtit të vjetëm është duke u përballur me luftë kundër agresionit të Federatës Ruse. Vëmendja e mediave botërore sivjet në festival qëndron te filmat si “Aestro” i Bradley Cooper, “El Mondo” i Pablo Larrain, “Origin” I Ava Duvernay e “The Killer” i David Fincher. Debate të shumta në këtë edicion kanë tematizuar kinematografinë në kohë të ndryshme. Festivali ka përjetuar edhe ditë të rënda censure. Ngjarja ka përjetuar Luftën e Dytë Botërore dhe periudhën para saj kur Italia udhëhiqej nga Partia Fashiste. Në këtë përvjetor diskutimet kanë shoshitur situata të ndryshme, përderisa është bërë thirrje që bota e kinematografisë të vazhdojë kontributin për të drejtat e njeriut e fenomene të ndryshme shoqërore.