Mjeshtri boshnjak i vargut që midis miqsh njihej si “Avdo”, kishte përjetuar shumë arsye për të shkruar poezi. Pena e tij përtej këtij zhanri letrar preku midis të tjerash edhe skenarë filmash. Arsyen njerëzore e kishte të fortë. U bë krah i viktimave në kohë trazirash, e ndërpreu bashkëpunimin me ata që u renditën përkrah dhunës e krimeve. Abdulah Sidran vdiq të shtunën. Ai ishte 79 vjeç. Kolegët e tij poetë e kanë përshkruar si mjeshtër të vargut e fisnik si njeri.
“Nuk është e vështirë të shkruash poezi të bukur, vështirë t’i përjetosh arsyet për ta shkruar atë”, do të thoshte Abdulah Sidran në qershorin e vitit 2021, kur në Kosovë u nderua me çmimin ndërkombëtar për letërsi “Ali Podrimja”. Mjeshtri boshnjak i vargut që midis miqsh njihej si “Avdo”, kishte përjetuar shumë arsye për të shkruar poezi. Pena e tij përtej këtij zhanri letrar preku midis të tjerash edhe skenarë filmash. Arsyen njerëzore e kishte të fortë. U bë krah i viktimave në kohë trazirash, e ndërpreu bashkëpunimin me ata që u renditën përkrah dhunës e krimeve. Sidran vdiq të dielën. Ai ishte 79 vjeç. Kolegët e tij poetë e kanë përshkruar si mjeshtër të vargut e fisnik si njeri.
I lindur më 2 tetor të vitit 1944, Abdulah Sidran qe shkrimtar, poet, skenarist, dramaturg e gazetar. Ishte fëmija i dytë në familjen me katër fëmijë nga Sarajeva.
Kreu studimet në Departamentin e Historisë së Letërsisë jugosllave në Fakultetin e Filozofisë në Sarajevë. Ishte redaktor i gazetës studentore “Naši dani”, përvojë gazetareske që do ta vazhdonte edhe në Televizionin e Sarajevës. Sprovat e tij të para letrare ishin kah mesi i viteve ’70, duke u cilësuar si përfaqësues i brezit të ri të shkrimtarëve. Është fitues i një sërë çmimesh në Bosnjë e jashtë saj: për veprën e tij “Tabuti i Sarajevës” fitoi Çmimin e Lirisë nga PEN Qendra franceze, duke u radhitur me Vladimir Sakharovin, Alexander Solzenjicinin e Vaclav Havelin.
Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Bosnjës, ndërkohë që shquhej edhe si dashamir i lojës së shahut. Më 2019, Sidran, tok me tridhjetë intelektualë botërorë, u takua me presidentin francez, Emmanuel Macron, takim ky që ishte nismuar nga filozofi e shkrimtari Bernard Henri-Levy.
Është autor i poemës “Kënga e Srebrenicës”, i skenarëve të filmave artistikë “A të kujtohet Dolly Bell?”, “Baba në udhëtim zyrtar” nën regji të Emir Kusturicës, “Kuduz”, nën regji të Ademir Kenoviq. Në veprat e tij përfshihen edhe “Grindaveci”, “Asht e mish”, ”Sëmundja nga shpirti), “Përmbledhja Sarajevase, poezi të zgjedhura”, “Tabuti i Sarajevës”, “Pse fundoset Venecia”, “Poezi pas lufte”, “Lotë të nënës Srebrenicë” e “Mbledhja e lëkurës së papërpunuar”.
Në qershor të vitit 2021 me goxha telashe shëndetësore, ai kishte ardhur në ambientet e kolegjit “AAB” për të marrë çmimin “Ali Podrimja”. Midis anëtarëve të jurisë qe edhe poeti e publicisti, Halil Matoshi.
Të dielën ai ka thënë se Sidran ishte njeri i lirë.
“Ai këtë e manifestoi në regjimin komunist. Bëri skenarë të mrekullueshëm për filma të Kusturicës e Keniviqit, por me të parin i ndau fashizmi, ku u zhyt Kusturica. Poezia e Sidranit përkujton imazhin e tabutit - metaforë e udhëtimit të fundit të njeriut në botë, ku âsht shtri nji njeri a komb i tânë, si gjuhë dhe kulturë”, ka thënë Matoshi.
Kolumnisti i “Kohës Ditore” e redaktori i politikës së jashtme në të përditshmen zvicerane “Tagesanzeiger”, Enver Robelli, ka thënë se për nga rëndësia që kishte për shoqërinë boshnjake, Sidran mund të krahasohet me rolin e Esad Mekulit apo Ali Podrimjes në shoqërinë kosovare. Ka përmendur skenarët për filmat e regjisorit Emir Kusturica. Ka thënë se në vitet ’80, Kusturica ishte regjisor normal, por në vitet ‘90 u konvertua në serb jonormal.
“Sot ai është nacionalist serbo dhe rusomadh. Pas agresionit serb ndaj Bosnjës, Sidran ndërpreu pothuaj çdo kontakt me Kusturicën, të cilin e quajti ish-mik. Madje Sidran, me sens të hollë humori, pati thënë se Kusturica i vërtetë është vrarë në luftë dhe lideri serb, Sllobdan Millosheviq, ka dërguar njerëz në terren për të gjetur dikë që i ngjan Kusturicës”, ka shkruar Robelli në Facebook. Ka shkruar se në maj të vitit 1999, Sidran shkroi poezinë “Qarku i përkryer”, ku përshkruan se si një ëndërr e rëndë e kishte zgjuar nga gjumi me granata, bomba e shpërthim të gazit.
“Nacionalistët serbë e kishin akuzuar se poezia e tij ishte një përjetim hakmarrës ndaj bombardimit të Serbisë. Sidran kishte humor, për shembull: ‘Nuk kemi asgjë kundër Serbisë suaj të Madhe, por ndërtojeni, vëlla, në lartësi’. Një Serbi që ndërtohet përpjetë nuk paraqet rrezik për fqinjët, plus i përgjigjet ambicies së nacionalistëve për ‘kombin hyjnor’. Rrezik është zgjerimi i Serbisë duke vrarë fqinjët. Sidran e ka luftuar me fjalë të fuqishme Serbinë agresive dhe regresive”, ka shkruar Robelli.
Me gjithë gjendjen shëndetësore të rënduar, Sidran në qershor të vitit 2021 ksihte gjetur forcë që të ngrihet në këmbë e të përshëndesë të pranishmit që po e duartrokitnin për çmimin “Ali Podrimja”. Mes emocionesh, ai ishte ndier borxhli të kujtojë mikun e tij, Ali Podrimja, “që shkroi poezitë më të mëdha pas humbjes së të birit”. Me frymëmarrjen e rënduar, poeti boshnjak kishte thënë se arti rrjedh nga dhembja e loti, “nga dhimbja e përbashkët e të dy popujve”. “Shpresoj e uroj që këto dhimbje e plagë të shndërrohen në margaritarë artistikë”, kishte shtuar Sidran. Si artist, ai ka arritur që botës së artit t’i lërë margaritarë artistikë, kurse si njeri shembullin e humanitetit.