Kulturë

“16 Artistë” përtej simbolikës harmonizon fuqinë e veprave vendore

“Shqipëria ime” e Kreshnik Aliçkajt ka qenë vepra e parë e interpretuar, në program është përfshirë edhe “Unë biri yt Kosovë”, për ta përmbyllur me “Brindisi” të “La Traviatas”. Krejt repertori ka qenë një lloj thurjeje veprash vendore me ato të literaturës botërore. Kur luhet Chopini, zbërthehet edhe në kontekstin historik të Kosovës, e krejt kjo bëhet me “16 Artistë”, i konceptuar në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Simbolikat ua kanë marrë anën përmbajtjeve sidomos në ngjarje të cilat shënojnë ndonjë përvjetor të rëndësishëm. Arsyetimet e përhershme: shpejtësia e përgatitjes së një ngjarjeje. Ky arsyetim është i pari edhe në rastin e koncertit që ka mbledhur 16 artistë në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Kosovës. Te disa artistë – sidomos te pjesët solistike ose veprat duo e trio – është vërejtur puna paraprake. Provat kanë dhënë rezultat. Kurse te grupet më të mëdha harmonia midis tyre thuajse nuk ka ekzistuar. Por “16 Artistë” si fotografi e përgjithshme ka qenë pakrahasimisht më e mirë se shumica e ngjarjeve të kësaj jave kur u shënua “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

I konceptuar si koncert që i paraprin edicionit të sivjetmë të “Chopin Piano Fest” në Prishtinë dhe si ngjarje në vazhdën e atyre të 16-vjetorit të Pavarësisë, të mërkurën mbrëma programi ka nisur me premierë. “Chopin...” vjen me edicionin e 14-të në maj.

“Shqipëria ime” e Kreshnik Aliçkajt ka hapur koncertin me Alberta Tronin në piano, Ermira Çitakun në flaut e sopranon Jeta Çitaku si vokaliste. Aliçkaj është prej kompozitorëve me emër të gjeneratës së re. Disa prej këngëve të njohura janë përshtatur në kompozimin e ri të Aliçkajt, i cili vazhdimisht provokon me vijën e tij melodike. Pa dyshim kjo ishte veçantia e mbrëmjes.

Image
Dyshja Sihana Badivuku në violinë dhe Zana Badivuku-Basha në piano janë paraqitur po ashtu me vepra të kompozitorëve vendorë. “Tri miniatura për violinë e piano” nga Valton Beqiri dhe “Scherzo për violinë e piano” e Drinor Zymberit i janë kthyer Prishtinës pasi duo i ka luajtur ato në rajon e në vendet evropiane

Dyshja Sihana Badivuku në violinë dhe Zana Badivuku-Basha në piano janë paraqitur po ashtu me vepra të kompozitorëve vendorë.

“Tri miniatura për violinë e piano” nga Valton Beqiri dhe “Scherzo për violinë e piano” e Drinor Zymberit i janë kthyer Prishtinës pasi duo i ka luajtur ato në rajon e në vendet evropiane. Janë vepra ku vërehen tendencat e kompozitorëve vendorë dhe interpretohen nga instrumentiste virtuoze, sidomos në rastin e violinistes. Sihana Badivuku e zotëron instrumentin në atë nivel sa nxjerr në pah secilën finesë të menduar nga kompozitori.

“Është shumë me përgjegjësi kur janë edhe kompozitorët gjatë interpretimit. Pastaj normalisht i marrim edhe sugjerimet e tyre. Mendoj se janë vepra që ne instrumentistët t’i luajmë pasi janë thesari dhe letërnjoftimi më i mirë që ne si Kosovë t’i luajmë edhe jashtë”, ka thënë ajo.

Në koncertet që mbajnë vulën e organizatorëve të “Chopin Piano fest” nuk mungojnë veprat e kompozitorit të njohur polak Frédéric Chopin. Profesoresha e pianos në Fakultetin e Arteve, Alberta Troni, është kthyer në skenë me solo, ka përzgjedhur “Baladën nr.4 f-mol, op.52” të Chopinit. Troni para të pranishmëve – megjithëse nuk praktikon të interpretojë shpesh – ka kthyer seriozitetin në skenë në raport me disa kolegë që kanë performuar të mërkurën mbrëma. Me një siguri gjatë lojës, ajo pa tendenca virtuoziteti ia ka dalë që të nxjerrë frymën e veprës para publikut.

Image
Vokalistët janë mbledhur në skenë për “Brindisi” të “La Traviatas” një aranzhim i Gridi Krajës për piano sekstet. Jeta Çitaku, Kaltrina Miftari, Safet Berisha e Denik Prizreni bashkë me piano sekstetin “Pro Arte” kanë mbyllur mbrëmjen

“Ishte një koncert i bukur që ndërlidhet më përvjetorin e pavarësisë dhe një mbrëmje e bukur që mendoj se e shijoi edhe publiku. I kam qëndruar besnike Chopinit. Pata një vepër virtuoze me kërkesa mjaft të larta, mirëpo shpresoj audienca e ka shijuar dhe është kënaqur me interpretimin tim”, ka thënë ajo.

Në këtë nivel me pak ngjyra më të ndezura ka luajtur Marin Gjollma. Pianisti nga Tirana, po ashtu, ka luajtur nga repertori i Chopinit. “Scherzo nr.4 E-Dur, op.54” ka ardhur me një siguri mjaft të lartë, përderisa Gjollma i ka dhënë emocionalitet nëpërmjet paraqitjes së tij.

“Ishte krejt e veçantë dhe kënaqësi që ky koncert i kushtohet 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Chopin si personazh ka pasur një histori po me luftën. Në një moshë të re atij iu desh të ikte nga Polonia, të emigronte. Rusia e kishte pushtuar Poloninë. Kështu që ka një lidhje midis Chopinit dhe Kosovës. Është një lidhje sa njerëzore po aq edhe artistike. Kjo i jepte edhe më shumë vlerë lojës”, ka thënë ai pas koncertit.

Interpretimet si “Unë biri yt Kosovë” me Andi Durakun në piano e bariton Denik Prizrenin, qenë një lloj ngjyrosje e festes. Kurse ariet e operave të njohura si “Carmen” e Georges Bizet e të “La Traviatas” të Verdit ia shtojnë ngjyrat koncertit.

Vokalistët janë mbledhur në skenë për “Brindisi” të “La Traviatas” një aranzhim i Gridi Krajës për piano sekstet. Jeta Çitaku, Kaltrina Miftari, Safet Berisha e Denik Prizreni bashkë me piano sekstetin “Pro Arte” kanë mbyllur mbrëmjen. Në raste të tilla ariet që janë goxha popullore bashkë me duartrokitjet që i bashkohen melodisë në njëfarë forme fshehin mungesën e harmonisë. Por edhe vërehet mjaftueshëm.

“Është kënaqësi që të mbledhim artistë të ndryshëm që vërtet performojnë në skenë muzikë të gjallë, dhe kjo nuk është fare e lehtë. Nganjëherë u bie të vijnë dhe me nga një provë të dalin në koncert. Ajo çfarë luajnë ata është dhuratë për publikun”, ka thënë bashkorganizatorja Lejla Pula. Ka treguar se janë munduar të gërshetojnë vepra të autorëve shqiptarë dhe atyre botërorë.

“Nuk është e lehtë të mblidhen 16 artistë, por ishte simbolika e 16-vjetorit të Pavarësisë. Edhe ne si artistë të muzikës klasike kemi dëshirë që të shprehemi në mënyrën tonë”, ka thënë pianistja Pula. Ngjarjet e tilla e pasurojnë kalendarin e përvjetorëve dhe festave. Por në rastet kur kualitetit interpretues të përmbajtjes i kushtohet edhe më shumë rëndësi, simbolikat do të forcoheshin edhe më.