Kronikë

Dy vëllezër vriten nga dhëndri në Golluboc të Malishevës

Pamje nga vendi ku ndodhi vrasja e dyfishtë

Pamje nga vendi ku ndodhi vrasja e dyfishtë

Dy vëllezër janë vrarë të enjten nga dhëndri i tyre në fshatin Golluboc të Malishevës, ka njoftuar Policia e Kosovës.

I dyshuari, siç ka thënë Policia, është nga një fshat i Drenasit. Ai është identifikuar, por ende s'është arrestuar. 

Në raportin e Policisë thuhet se dy vëllezërit rreth orës 11:30 u dërguan në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë, ku më pas mjekët konstatuan vdekjen e tyre.

“Rreth orës 11:30, jemi njoftuar se dy persona të gjinisë mashkullore, të moshës madhore (vëllezër), janë dërguar në QMF-në e Kijevës si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit në fshatin Golluboc të Malishevës. Personeli mjekësor në QMF ka konstatuar vdekjen e viktimave. Njësitë e nevojshme policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes”, thuhet në raport. 

Lidhur me rastin, sipas Policisë, është identifikuar një person i dyshuar, burrë i moshës madhore. 

“Në koordinim me prokurorin e shtetit, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin dhe arrestimin e të dyshuarit”, thuhet në raport. 

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi para gazetarëve ka thënë se janë duke ndërmarrë të gjitha masat që sa më shpejtë të kapet edhe i dyshuari, pa çka nuk ka pranuar të japë detaje se ai iku në këmbë apo me ndonjë veturë.

“Sikurse jeni njoftuar deri më tani kemi të bëjmë me një vrasje të rënd, vrasje të dyfishtë ku kemi të bëjmë me dy viktima. Kryesi i kësaj vepre penale është ende në arrati dhe policia bashkë me prokurorinë është duke ndërmarrë të gjitha masat që sa më shpejt të identifikohet dhe të sigurohet prezenca e tij”, tha ai para gazetarëve.

Porse a ishte i njohur për organet e rendit i dyshuari, ai tha se pas verifikimit të të gjitha informacioneve do të japin edhe informatat zyrtare.

VIDEO:

Ndërkaq në një njoftim për media, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se ka iniciuar rast për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe për armëmbajtje pa leje. Në njoftim është thënë po ashtu se po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit që është identifikuar dhe ndodhet në kërkim.

E doktori i Urgjencës në Komunën e Malishevës, Festim Sylejmani, ka thënë se viktimat ishin sjellë pa jetë në QMF-në në Kijevë. Ai ka bërë të ditur se viktimat i kanë pasur nga dy plumba në trup.

“Pacientin e kam parë dhe e kam ekzaminuar, por s’ka pasur shenja jete hiç. Bebëzat i ka pasur të zgjeruara komplet dhe parametrat vitalë i ka pasur zero. Ka pasur dy plumba në gjoks, i kemi edhe raportin dhe fotografitë. Pacienti tjetër në Kijevë, pasi ata i kam gjetur aty dhe kam shkuar si mjek i urgjencës prej Malishevës në Kijevë, ka pasur po ashtu dy plagë. Njërën e ka pasur në gjoks dhe tjetrën në anën e djathtë. Kur kam mbërritur, të dy kanë qenë pa shenja jete”, ka thënë ai për KosovaPress.

Ndaj të dyshuarit për vrasjen e vëllezërve kishte aktakuzë për dhunë në familje e kanosje

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se i dyshuari për vrasjen e vëllezërve në Malishevë, më herët gjatë këtij viti ka qenë i akuzuar për “Dhunë në familje” dhe “Kanosje”. 

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se prokurori i shtetit ndaj personit të dyshuar A.I., më datë 06.04.2025, ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, e cila po të njëjtit iu është caktuar nga gjykata kompetente. Po ashtu, më datë 07.04.2025, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit për veprat penale ‘Dhunë në familje’ sipas nenit 248 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ‘Kanosje’ sipas nenit 181 të KPRK-së”, ka thënë zëdhënësja e Themelores në Prishtinë, Kaltrina Shala. 

VIDEO: