Prokuroria në Dibër të Shqipërisë ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm të I.M, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”, të viktimës P.P, raportoi “TCH”.
Nga hetimet e nisura më datë 22 janar të vitit të kaluar, Prokuroria thotë se rezultoi se I.M, ka vrarë me armë zjarri P.P, i cili ishte duke ecur në fshatin Vig me një tjetër person. Sapo ka kryer aktin, ai ka lajmëruar policinë dhe u largua drejt banesës së tij.
Djali i autorit, ka sqaruar se babai i tij kishte konflikt të vjetër me këtë person pasi ai i kishte plagosur me armë vajzën e tij si dhe vajzën e vëllait, veprim për të cilin ai u dënua me 12 vite burgim. Për këtë konflikt, megjithëse viktima kishte kryer dënimin palët nuk janë pajtuar.
Madje, kohët e fundit, 3-4 muaj para se të ndodhte vrasja, siç thotë Prokuroria, I.M. i dërgoi mesazh nëpërmjet dajës së tij, që viktima të mos shkonte më në fshat se nëse do t’i dilte para do ta vriste.
Sipas Prokurorisë, motivi i kësaj ngjarje kriminale është hakmarrja, pasi viktima ka qëlluar dhe plagosur vajzën e të pandehurit.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Dibër kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit I.M. për kryerjen e veprës penale ‘Vrasja me paramendim’, parashikuar nga neni 78/2 i Kodit Penal, në dëm të viktimës P.P. dhe dënimin e të pandehurit me burgim të përjetshëm”, ka sqaruar prokuroria.