Një 50-vjeçar ka vdekur rreth orës 14:00 në qendër të qytetit të Ferizajt derisa po punonte në projektin ashtuquajtur “Bashkimi i Qytetit”.
Agim Gashi, zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Ferizaj e ka konfirmuar rastin duke njoftuar se ka ndodhur në rrugën “Vëllëzërit Gërvalla”.
“Derisa ishte duke punuar në projektin “Bashkimi i Qytetit” është lënduar dhe nga plagët e marra ka ndërruar jetë në Spitalin e Ferizajt. Ekipet e hetuesisë dhe inspektorati i Punës janë në vendin e ngjarjes dhe po e hetojnë rastin se si ka ardhur deri te ky incident i cili ka shkaktuar plagë vdekjeprurëse për 50-vjeçarin”, i tha KOHËS Gashi.
Flet mjeku kujdestar për rastin e vdekjes së 51 -vjeçarit në Ferizaj
Një 51 vjeçar ka ndërruar jetë rreth orës 14:00 në qendër të qytetit të Ferizajt derisa po punonte në projektin ashtuquajtur “Bashkimi i Qytetit”. Mjeku kujdestar në urgjencën e Ferizajt Sefedin Fazliu, ka thënë për Kohën se pacienti kishte marrë plagë të rënda në kohë derisa një mjet i fortë metalik i pajisjes së makinerisë i kishte rënë në kokë derisa po punonte në projektin “Bashkimi i Qytetit”.
“Pacienti është sjellë nga punëtorët pa vetëdije dhe me një lëndim në kokë. Shërbimi i Emergjencës ka marrë të gjitha masat për ta kthyer pacientit në jetë, mirëpo lëndimet e tij kanë qenë aq të shprehura sa që ka qenë e pamundur që pacienti të kthehet në jetë. Pacienti ka qenë i lënduar nga një mjet të fortë metalik në pjesën e kokës”, ka thënë Fazliu. Sipas Fazliut viktima ishte nga fshati Doganaj i Komunës së Kaçanikut.
Pas këtij rasti edhe komuna e Ferizajt dhe ajo e Kaçanikut i kanë shprehur ngushëllime familjes së (N.V). “Pasditen e sotme, një ngjarje tragjike ndodhi në njërin nga segmentet e punës në projektin infrastrukturor "Bashkimi i Qytetit", me ç'rast njëri nga punonjësit e kompanisë kontraktuese mori lëndime të rënda që pas përcjelljes në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt, ndërroi jetë. Me këtë rast, Kryetari i Komunës, Agim Aliu dhe drejtorët e drejtorive komunale i shprehin ngushëllime të sinqerta familjes, miqve e të njohurve të të ndjerit”, thuhet në telegramin e ngushëllimit nga komuna e Ferizajt.
Ndërkaq komuna e Kaçanikut ka shkruar se “Me dhembje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të punëtorit N.V. i punësuar në njërën nga kompanitë e ndërtimit në Ferizaj, i cili është nga komuna jonë. Raste të tilla janë të rënda për familjen, por edhe për ne. Ndajë ngushllimet e mia më të sinqerta për familjen, miqtë, dhe të gjthë ata që e njohën”, thuhet në telegram ngushëllimi nga komuna e Kaçanikut.