Kronikë

Dëshmojnë dy specialistë të mjekësisë në rastin e vrasjes së Marigona Osmanit

Gjykata Themelore e Ferizajt ka vazhduar me seancën gjyqësore në çështjen penale kundër të pandehurve, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, lidhur me vdekjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani, në gusht të vitit të kaluar.

Në këtë seancë është dëgjuar versioni i dëshmitarit Burim Maloku i cili është specialist i mjekësisë emergjente. Ai ka thënë ditën tragjike viktima është sjell nga dy persona pa shenja jete.

"Ekipi jemi mbledhur me të gjitha aparaturat e nevojshme, por ka qenë pa shenja jete. Kam dal për t’i pyetur personat që kanë sjell pacientin, por ata i kam parë duke ecur nga Emergjenca. E kemi thirrur menjëherë Policinë e Kosovës. Nuk më kujtohet nëse ka pasur flokët e lagura apo fytyrën", ka thënë Maloku.

Eksperti mjekoligjor Naim Haliti, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, ka thënë se pacienti ka qenë një kufomë për të cilën kanë bërë edhe raport të detajuar e të cili ai tha se i qëndron mbrapa.

"Qëndroj mbrapa raportit te autopsisë. Lëndimet i kemi përshkruar në bazë të të gjeturave në autopsi, andaj te gjitha lëndimet janë të përshkruara në detaje në raport. Nga e ndjera, janë marrë edhe strishot për analiza toksiologjike", ka thënë Haliti.

Sipas tij, viktima kishte përdorur një analgjetik për trajtim te dhimbjeve para se të vdiste.

"Të gjitha lëndimet të cilat i kemi ekzaminuar, qoftë në dukje të jashtme apo të brendshme, ne i kemi përshkruar në raport, andaj i qëndrojmë mbrapa raportit. Bazuar në analiza dhe gjendjes së saj, e ndjera ka vdekur nga dhuna në bazë të politraumes që nënkupton lëndime që ndodhin në trupin e kufomës. Janë më shumë se dy lëndime dhe më shumë se dy lokacione të ndryshme në trup. Ajo ka vdekur edhe nga shoku hemorragjik i asfiksisë mekanike të cilat kanë ardhur si pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe brendshme ", ka thënë ai.

Lëndimet në trupin e viktimës ka patur edhe nga mjetet e mprehta e të shtypjes, thotë Haliti.

Më 6 shtator të këtij viti, Gjykata Themelore e Ferizajt e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit gushtin e kaluar.

Krivaqa akuzohet se më 21 gusht 2021, në ditën e vdekjes, e ka dhunuar viktimën në dy raste. Ndërsa, Sejdiu akuzohet se e ka ndihmuar Krivaqën në kryerjen e veprës penale të dhunimit. Sipas aktakuzës të pandehurit e kanë dhunuar seksualisht deri sa viktima ka humbur vetëdijen.

.