Kronikë

Mjeku ligjor Naim Uka: Ademaj u vra nga një distancë 2-5 centimetra

Naim Uka - Naim Murseli

Foto: Driton Paçarada

(Tekst i përditësuar) - Mjeku ligjor, Naim Uka, gjatë dëshmisë së tij në procesin gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt më 2023, ka dhënë detaje për raportin e autopsisë së Ademajt. 

Ai ka thënë se në bazë të provave mjeko-ligjore distanca e qitjes, nga e cila është vrarë Ademaj sillet rreth 2 deri në 5 centimetra. 

Uka ka theskuar se përjashtohet mundësia e vrasjes me puthitje apo gjysmë-puthitje.

“Gjatë procedurave të autopsisë mjeko-ligjore është konstatuar vrima hyrëse në regjionin e djathtë të kokës, e shkaktuar nga veprimi dinamik e cila ka pas veprim na djathtas në majtës, nga poshtë pjerrtas lartë. Është e rëndësishme të ceket, se pjesë metalike e kësaj predhe është futur në pjesën e majtë të kokës, e cila është dorëzuar si provë te policët hetues. Si rezultat i kësaj plage, ka ardhur edhe gjakderdhja e brendshme dhe e jashtme trurore, e cila është shkaku i vdekjes”, ka theksuar Uka.

Ai tutje ka thënë se në rastet kur mungojnë të dhënat preliminare të vendit të ngjarjes, kryhen edhe ekzaminimet e detajuara të shuplakave të duarve të viktimës. 

“Edhe në këtë rast kemi kryer ekzaminimet e dy duarve … është eliminuar mundësia që e njëjta të ketë përdorur ndonjë armë, apo të ketë shkaktuar vetëvrasje. Mungesa e shtangimit kataliptik, të gishtit tregues, është provë tjetër mjeko-ligjore që e plotëson konstatomini e parë. Nuk lë asnjë dyshim për ndonjë mundësi tjetër”, ka shtuar Uka.

I akuzuari Naim Murseli duke i bërë pyetje dëshmitarit Uka, ka thënë se prokuroria po pretendon se ai ia ka shkaktuar shenjat në dorë të ndjerës Liridona Ademaj, pasi e ka mbajtur me forcë që të mos i shmanget plumbit. Ai e ka pyetur nëse këtë e thotë edhe raporti mjeko-ligjor. 

“Mjeku ligjor nuk paragjykon pozitat apo situatat të cilat kanë mundur të jenë në momentin e vrasjes së të ndjerës. Ka për detyrë të bëjë shpjegim të qartë për karakteristikat e dëmtimeve trupore, në bazë të cilave bëhet edhe interpretimi i provave ligjore”, tha Uka. 


Dëshmitari i radhës në rastin e vrasjes së Ademjat: Kam folur me Granit Plavën për dy raste të vrasjeve

Në procesin gjyqësor ndaj Murselit dhe të tjerëve të hënën ka dëshmuar edhe Jeton Binaku. 
Ai ka folur se si i akuzuari Granit Plava e ka marrë një veturë më qira. 

Binaku ka thënë se kanë një biznes familjar, një pompë të benzinës ku Plava ka qenë klient i rregullt. 

“Graniti ka ardhur te pompa dhe më ka pyetur a mundesh me ma marrë një kerr me qira. Graniti ka punuar me dru, se kanë marrë naftë te ne. Më pas ka thanë a mund ta thërrasësh atë djalin e rent a car, me marr një kerr me qira. Ditën që e ka marrë e ka shkuar dhe e ka kthyer, prapë e ka marrë … e ka la lanë kerrin, çelësi ka mbetur në pompë. Kerri ka qëndruar dy ditë aty”, ka theksuar Binaku.

Ai ka thënë se i ka kërkuar pronarit që i kishte dhënë veturën me qira që ta merrte.

“Djali i rent-ës ka kaluar aty, i kam thënë merre, por ai nuk e ka marrë, më thoshte po shkoj në shkollë.

Tjetër nuk di më shumë, te pompa ka qëndruar”, është shprehur ai.

Ai ka thënë se Plavën e ka takuar thuajse çdo ditë dhe herën e fundit e ka parë ditën që ka ndodhur ngjarja në një vullkanizer që gjendje pranë pompës. 

“Pompa e benzinës dhe vullkanizeri i kanë 2 metra, ngjitur, ai ka ardhur te unë, jashtë kemi qenë. Ky nuk punon aty, po ka qëlluar ato ditë. Kur e ka kthyer kerrin, më ka thanë a po i thua të vijë me marrë veturën, mos të paguaj më shumë ditë”, është shprehur Binaku. 

Ai ka thënë se me Plavën kanë biseduar për shumë gjëra dhe se kanë ndenjur bashkë gjithë ditën.

“Për dy vrasje me Granitin kemi folur, edhe ajo në Dragodan edhe për vrasjen që po akuzohen, llafe të kafeve”, është shprehur Binaku. “Unë kam thanë shqiptari ta lë gruan e të ikë, nuk e ka traditë, e qysh kanë shkruar në polici nuk e di, këto llafe kanë qenë të kafeve .... Me Granitin kemi biseduar për vrasjen. Unë kam thanë nëse është shtetase suedeze, kam thanë që do zbulohet kjo vrasje. Kam thanë që në Bërnicë ka kamera, do të zbulohet rasti. Kam thënë shteti suedez do bëj çmos ta zbulojë për shtetasen e vetë, se është shtet i fortë ... Unë nuk e di a ka komentuar diçka Graniti, nuk më kujtohet. Po qëndroj prapa asaj se çfarë kam deklaruar”, është shprehur Binaku.


Pronari i marketit: Murseli me tha që gruaja i ka mbetur në veturë

Të hënën ka dëshmuar edhe Naim Sadiku, pronar i marketit, te i cili kishte shkuar Murseli pas vrasjes së Ademajt. 

“Unë i kam thënë Naimit që nuk vij te vendi i ngjarjes. Kam hy prapë në market ... Ka ardhur një zyrtare policore ka thanë a mund t’i lënë fëmijët në market. Unë kam qëndruar me fëmijët deri janë kthyer ...”, ka deklaruar Sadiku.

Ai ka thënë se Murseli nuk ka pranuar të flasë me Policinë dhe se ai i ka thirru për të ju treguar që Murseli po thotë që gruaja e tij ka mbetur në veturë. 

“Gjatë bisedës me Naimit i kam thanë, të kanë plaçkitur po me rëndësi fëmijët kanë shpëtuar. Po ai më tha, gruaja ka mbetur në kërr, i kam thirr policinë prapë dhe ju kam treguar çka po thotë, pasi ky nuk ka pranuar me fol me policinë. Lokali im nuk ka kamera të sigurisë.


Vazhdon gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt, dëshmon mjeku ligjor Naim Uka

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt më 2023.

Në seancën e sotme po dëshmon mjeku ligjor Naim Uka. 

Në seancën e kaluar për këtë rast ka dëshmuar ish–drejtori i Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibeqiri. Ai para trupit gjykues ka thënë se Murseli nuk vuan nga ndonjë çrregullim mendor.
Në seancën e shqyrtimit fillestar, por edhe në seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor, Murseli është deklaruar i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Sipas aktakuzës, Murseli dyshohet se e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për të përfituar financiarisht nga një sigurim jetësor në Suedi, në vlerë rreth 260 mijë euro. Sipas prokurorisë, vrasjen ai e ka planifikuar së bashku me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, të cilëve ua ka premtuar një shumë prej 30 mijë eurosh për kryerjen e krimit.

Liridona Ademaj është vrarë në mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-tës, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht ishte raportuar se bëhet fjalë për vrasje si pasojë e grabitjes, e më pas Prokuroria bëri të ditur se gjithçka ishte inskenim.