Kronikë

Tre vjet burgim ndaj D.F. për përvetësim në detyrë

Burgim

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit D.F., duke e gjetur fajtor për veprën penale “Përvetësimi në detyrë”.

Pas shqyrtimit gjyqësor, gjykata i ka shqiptuar të pandehurit dënim me burgim prej tre vjetësh, në të cilin përfshihet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak. Po ashtu, ndaj tij është shqiptuar edhe dënim me gjobë në vlerë prej 1 mijë euro, të cilën obligohet ta paguajë brenda 30 ditëve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Me vendim të gjykatës, D.F. është obliguar që t’i paguajë palës së dëmtuar, Postës së Kosovës – Mitrovica 1, shumën prej 71 mijë e 572 euro e 26 centë, brenda afatit prej tre muajsh nga dita e marrjes së formës së prerë të aktgjykimit. Në rast të mosrespektimit të këtij obligimi, pagesa do të realizohet përmes përmbarimit të detyrueshëm.

Po ashtu, gjykata ka vendosur që të pandehurit t’i ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo në shërbimin publik për një periudhë prej dy vjetësh, pas vuajtjes së dënimit me burgim.