Të paktën tre persona kanë pësuar lëndime, dy prej tyre të rënda, si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur të hënën në Vragoli.
Policia ka bërë të ditur për KOHËN se aksidenti dyshohet se ka ndodhur pasi drejtuesi i një kamioni ka humbur drejtimin dhe ka goditur katër automjete të tjera.
Të lënduarit janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
”Sot, rreth orës 14:35, në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë, ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku, ku dyshohet se drejtuesi i një automjeti transportues (kamion) me targa vendore ka humbur drejtimin e mjetit, ka kaluar në anën e kundërt të rrugës dhe ka goditur katër automjete të tjera. Si pasojë e këtij aksidenti, deri në këto momente raportohet se dy persona kanë pësuar lëndime të rënda dhe një tjetër ka marrë lëndime të lehta, të cilët janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës kanë dalë menjëherë në vendngjarje dhe po ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit”, ka thënë Daut Hoxha për KOHËN.
VIDEO:
Të aksidentuarit në Vragoli në gjendje stabile
Gjendja e shëndetësore e katër të aksidentuarve gjatë së hënës në Vragoli është stabile.
Lajmin për KOHËN e ka bërë të ditur drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla.
“Katër të aksidentuar janë duke u trajtuar në Qendrën Emergjente. Janë në përfundim e sipër ekzaminimet e nevojshme. Gjendja e tyre është stabile.”, ka njoftuar Syla.
Aksidenti i trafikut ndodhi paraditen e së hënës në Vragoli. Policia bëri të ditur për KOHËN se aksidenti dyshohet se ndodhi pasi drejtuesi i një kamioni humbi drejtimin dhe goditi katër automjete të tjera