Të paktën tre persona janë arrestuar në lidhje me një rast të zjarrvënies që ka ndodhur më 25 shtator në një parking të një ndërtese banimi në Lipjan.
Policia ka njoftuar të mërkurën se të martën mbrëma janë identifikuar katër të dyshuar, prej të cilëve tre janë arrestuar, ndërsa personi i katërt është ende në kërkim.
“Rasti është raportuar si zjarr në një parking të një ndërtese banimi, ku si pasojë është djegur një automjet dhe janë dëmtuar disa të tjera. Përveç dëmeve të konsiderueshme materiale, zjarri ka paraqitur rrezik për banorët përreth, megjithatë nuk është raportuar për persona të lënduar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Të arrestuarit, me vendim të prokurorit të shtetit, janë ndaluar për 48 orë dhe ndaj tyre është iniciuar hetim për veprat penale “Zjarrvënie” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.