Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Themelorja në rigjykim dënon me gati 20 vjet burgim nipin që vrau axhën në Malishevë

vrasje

Gjykata Themelore në Gjakovë në rigjykim të martën ka shpallur fajtor të pandehurin B.B. për veprat penale “Vrasje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, duke e dënuar me një dënim unik prej 19 vjet e 6 muaj burgim.

Ngjarja ka ndodhur më 28 prill 2023, në fshatin Kijevë të Komunës së Malishevës, ku i pandehuri B.B. me dashje kishte privuar nga jeta axhën e tij, S.B., pas një mosmarrëveshjeje për çështje pronësore, pasi viktima po zhvendoste një sasi me beton në rrugicën e përbashkët të shtëpive. Pas një përplasjeje verbale, B.B. kishte marrë një pistoletë gjysmë automatike të tipit “Crvena Zastava” dhe kishte shtënë disa herë në drejtim të viktimës, përfshirë edhe tre herë në kokë, duke e lënë atë pa shenja jete në oborrin e shtëpisë së tij.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjykata i pati konfiskuar armët, përfshirë pistoletën me karikator, një pushkë gjahu “Huglu” me dy tyta, fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe pajisje të tjera të ndërlidhura me rastin.

Nga dënimi total do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga data 28 prill 2023.

B.B. ishte dënuar në vitin 2024 me 21 vjet burgim. Por në tetor të atij viti, Apeli e kishte kthyer rastin në rigjykim.