Kronikë

Themelorja e dënoi me burgim të përjetshëm, nis gjykimi i Lajçit në Apel

Edmond Lajçi

Të enjten në Gjykatën e Apelit ka filluar gjykimi i Edmond Lajçit i cili në dhjetor të vitit të kaluar, nga Gjykata Themelore në Pejë, është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e gruas së tij Gjyljeta Ukella.

Sipas aktakuzës, vrasja është kryer me dashje brenda banesës ku jetonte çifti. Vendimi i gjykatës ishte mirëpritur nga familjarët e viktimës.

Më 19 nëntor të vitit të kaluar Prokuroria Themelore në Pejë kishte ngritur aktakuzë ndaj Lajçit, për vrasje të bashkëshortes së tij më 16 prill.

Sipas aktakuzës, këtë ditë rreth orës 08:00, në banesën e tij në Pejë, i pandehuri me dashje ka vrarë me pistoletë Gjyljeta Ukellën. Në këtë dokument tregohet se paraprakisht viktima i ishte nënshtruar edhe dhunës psikike.

Avokatja e familjes Ukella, Fehmije Bytyqi, ka shprehur kritika për mungesën e prokurorisë së Apelit në seancë.

“Nuk mjafton vetëm dërgimi i një letre që sugjeron rrëzimin e kërkesës së mbrojtjes të të akuzuarit”, ka deklaruar ajo.