Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë të premte për shkak të temperaturave të larta në sallën e gjykimit, është anuluar seanca ndaj 6 të akuzuarve për shpërthimin në lokalin “Sekiraqa”, ku kishin mbetur të vdekur dy persona.
Në këtë rast B. M., L. Q., B. S., F. S., A. D. dhe M. M. akuzohen se më 24 shtator 2007 në bashkëkryerje më B. H., S. Q. dhe me ndihmën e A. D., pretendohet se kishin vendosur dhe shpërthyer një mjet plasës në objektin e lokalit “Sekiraqa”, në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë. Si pasojë e këtij shpërthimi kishin humbur jetën N.M dhe P.S dhe ishin lënduar disa persona të tjerë, raportoi Betimi për Drejtësi.
Anulimi i seancës, u bë i ditur nga zyra e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Alban Ajvazi, ku u tha se trupi gjykues ka vlerësuar se për shkak të temperaturave të larta në sallën e gjykimit dhe vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për kufizimin e orarit të punës, është anuluar seanca e sotme.
Aktakuza u ngrit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 22 gusht 2014, saktësisht nga prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh.
Në pikën e parë, të akuzuarit ngarkohen se më 24 shtator 2007 për hakmarrje të paskrupullt ose për motive të tjera të ulëta, dhe duke rrezikuar me dashje jetën e një ose më shumë personave, privuan nga jeta N.M., dhe P.S,.
Sipas aktakuzës, kjo ndodhi duke vendosur dhe shpërthyer një mjet plasës të improvizuar në katin përdhesë në objektin e lokalit “Sekiraqa”, në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë.
Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” në shkelje të neneve 23 dhe 147, par.4, 9 dhe 11 të Kodit Penal të Kosovës.
Aty thuhet se pas një historie të gjatë dhune ndërmjet policisë në Ferizaj, policëve të Njësisë ROSU dhe Enver Sekiraqës, dhe pas vrasjes së policit Triumf Riza, vrasje e cila në aktakuzë thuhet se “besohet të jetë urdhëruar nga Enver Sekiraqa”, Policia e Ferizajt bashkë me policët e Njësisë ROSU planifikuan hakmarrje kundër Sekiraqës, duke hedhur në erë me bombë lokalin e tij në Prishtinë. Lokali thuhet se ndodhej në një zonë të populluar banesore, që ishte plotë me bare e restorante. Kurse, bomba thuhet se u vendos në muajin e Ramazanit më 24 shtator 2007, kur lokalet ishin të hapura për njerëzit që bënin syfyrin. Madhësia e bombës, vendi i vendosjes së saj dhe koha e shpërthimit, thuhet se do të thoshte se të pandehurit kishin për qëllim të vrisnin.
Ata akuzohen edhe vrasje në tentativë dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.