Kronikë

Të shtëna me armë pas një mosmarrëveshjeje në Suharekë, tre të arrestuar

Policia e Kosovës

Në fshatin Gjinoc të Suharekës, tre persona janë arrestuar të shtunën nën dyshimin për posedim dhe përdorim të paautorizuar të armës si dhe për sulm, bëhet e ditur në raportin 24-orësh të Policisë.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje ndërmjet të dyshuarve, në momentin kur njëri prej tyre po kalonte me traktor të ngarkuar me dru për djegie nëpër pronën e një të dyshuari tjetër. Pas përshkallëzimit të konfliktit, i dyshuari që drejtonte traktorin dyshohet se ka marrë armën e njërit prej të dyshuarve dhe ka shtënë me të në afërsi të të dyshuarit të tretë.

Njësitet policore kanë ndërhyrë në vendin e ngjarjes dhe gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit kanë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me karikator, tre fishekë dhe një gëzhojë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë incidentit.

Me vendim të prokurorit të rastit, tre të dyshuarit janë intervistuar dhe më pas janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.