Kronikë

Sulmohet këngëtari Shpat Kasapi, policia jep detaje

Shpat Kasapi

Këngëtari shqiptar Shpat Kasapi është sulmuar fizikisht në orët e para të së shtunës. Pas raportimeve një ditë më parë, Policia e Kosovës në raportin 24-orësh ka dhënë detaje për rastin që ka ndodhur në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë.

Sipas raportit të Policisë, në rast janë arrestuar tre persona. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa pas intervistimit, njëri prej të dyshuarve është dërguar në mbajtje e dy të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

“SULM. Shkabaj, Magjistralja Prishtinë Mitrovicë, 09.08.2025-01:40. Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovar (m/k) pasi që të njëjtit kishin sulmuar fizikisht viktimën mashkull shtetas i Maqedonisë së Veriut. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa pas intervistimit me vendim të prokurorit njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje ndërsa dy të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin policor.

Ndërkaq vetë Kasapi ka shkruar në rrjete sociale duke thënë se është mirë me shëndet, teksa ka bërë thirrje për “mosekzagjerim të lajmit”. Sipas tij, ka qenë “keqkuptim me dasmorët”.

“Të dashur miq, Unë jam mirë me shëndet, falë Zotit. Ju lutem mos e ekzagjeroni shumë lajmin, ishte një keqkuptim me dasmorët, asgjë tjetër për t’u shqetësuar”, ka shkruar ai.