Dy zyrtarë të Ekonomisë Pyjore dyshohet se janë sulmuar fizikisht gjatë kryerjes së detyrës zyrtare në Dermjak të Hanit të Elezit.
Policia ka njoftuar në raportin 24-orësh të saj se rasti dyshohet të ketë ndodhur gjatë mbrëmjes të së hënës.
Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 18:10, ata kanë raportuar se janë goditur me mjete të forta nga katër persona të dyshuar.
Si pasojë e sulmit, viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në repartin e emergjencës në Ferizaj.
Policia ka bërë të ditur se të dyshuarit janë në arrati, ndërsa rasti është duke u hetuar.