Gjykata Themelore në Ferizaj, pikërisht departamenti për Krime të Rënda ka vazhduar me shqyrtimin gjyqësor ndaj ish – inspektorit të Komunës së Shtimes, Taulant Salihaj, i cili akuzohet për korrupsion, por shkaku i mospjesëmarrjes së një dëshmitari në këtë rast seanca është shtyrë. Kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi, njoftoi se shqyrtimi duhet të shtyhet për shkak se dëshmitarja (E. Sh), e cila ishte paraparë të dëgjohej gjatë seancës së sotme, ka njoftuar se ka pasur kontakt me një person i cili ka rezoltuar pozitiv me virusin covid- 19. Sipas Idrizit dëshmitarja e këtij rasti kishte njoftuar se do t’i nënshtrohet procedurës së analizave naj pandemisë Covid-19.
Ndërkaq, ish – inspektori Salihaj, akuzohet nga prokuroria se gjatë periudhës 2017 – 2018, në Shtime, si person zyrtar, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, ashtu që të dëmtuarit Haxhi Shabani i ka kërkuar para në vlerë prej 1080 euro që të njëjtit t’ia përpiloj planet për dy shtëpi. Ndërkaq, sipas aktakuzës Salihaj kishte lejuar këtë qytetar t’i ndërtoi shtëpitë e banimit pa leje ndërtimore, derisa kompetencë e tij ishte që mos ta lejoi një gjë të tillë.
Megjithëse, Salihaj ishte shpallur fajtor me një vjet burgim, rasti është rikthyer në rigjykim më 25 nëntor të 2019-s.