Kronikë

Sekuestrohen telefona të kontabanduar në një biznes në Prishtinë, vlera e tyre mbi 64 mijë €

Telefona - Kontrabandë

Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar telefona të kontrabanduar në vlerë prej 64 mijë 340 eurosh. 

Në njoftimin e Doganës thuhet se ata janë sekuestruar pas një kontrolli në një subjekt afarist në Prishtinë, i cili merret me shitjen e telefonave mobil. 

Sipas njoftimit kontrolli është kryer pas pranimit të një informacioni nga një qytetar përmes linjave të hapura për raportimin e kontrabandës dhe veprave të tjera penale.

“Pas verifikimeve paraprake, njësitet e Doganës kanë realizuar një kontroll të plotë të lokalit dhe hapësirave përcjellëse. Gjatë kontrollit, në një aneks shtesë (bodrum) është gjetur një kasafortë, brenda së cilës janë zbuluar: 49 copë iPhone 16 Pro Max, 1 copë iPhone 16 Pro, 12 copë iPhone 15 Pro,  9 copë Samsung A36 5G, 6 copë Samsung A56, 2 copë Samsung A26”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Në njoftim thuhet se të gjithë këta telefona janë gjetur pa dokumentacion përcjellës për prejardhjen e tyre dhe dyshohet se janë futur në mënyrë të kundërligjshme në territorin e Republikës së Kosovës. 

“Dogana e Kosovës ka ndërmarrë veprimet përkatëse ligjore ndaj subjektit në fjalë, duke sekuestruar mallin dhe duke iniciuar procedurat hetimore për kundërvajtje apo vepër penale, varësisht nga të gjeturat e mëtejme”, thuhet në njoftim.