Kronikë

Seanca për rastin e vrasjes së 18-vjeçarit mbahet e mbyllur

Gjykata

Foto: Ekonomia Online

Seanca gjyqësore për rastin e vrasjes së 18-vjeçarit, Lulzim Fejzullahu, u mbajt e mbyllur për media më 14 janar në Podujevë.

Pas seancës, avokati i palës së dëmtuar, Tomë Gashi, ka thënë se një dëshmitar është dëgjuar ndërsa tjetri ka mbetur për seancën e radhës. Ai ka bërë të ditur se seancat e radhës pritet të mbahen më 15 dhe 16 prill.

“Seanca është e tipit të mbyllur ne mundemi me iu thënë se është vazhdimi sipas propozimit të Gjykatës Themelore për shqiptimin e vendimit dhe Gjykata ka urdhëruar që detajet e gjykimit të mos shpalosen. Seanca e radhës është me 15 dhe 16 prill  të këtij viti ndërsa nuk është e ndaluar me iu tregu se kanë qenë dy dëshmitarë njëri është marrë në pyetje ndërsa tjetri në mungesë të asaj se ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt apo jo ka mbetur për seancën e radhës”, ka thënë Gashi.

Ndërsa xhaxhai i Lulzim Fejzullahu, Rrahim Fejzullahu, ka thënë shkurt se i beson drejtësisë.

“Unë i besoj drejtësisë dhe vetëm drejtësisë”, është shprehur Fejzullahu.

Më 1 prill, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e Fejzullahut. Dy të dyshuarve u është ngarkuar vepra penale “Vrasje e Rëndë” në aktakuzë.

Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë e kishin konfirmuar se më 25 mars është paraqitur propozim për shqiptimin e dënimit me burgim për të miturit për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë”.

Deri më tani, dy të akuzuarit janë duke qëndruar në paraburgim deri në një vendim tjetër të Gjykatës.

18-vjeçari kishte vdekur në Emergjencën e QKUK-së disa ditë pasi ishte rrahur.

Policia fillimisht e raportoi vrasje në tentativë dhe therje me thikë, e në Emergjencë konstatuan vdekjen e tij nga lëndimet në kokën e viktimës, të marra nga shkopi i bejsbollit./ EO