Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e një polici në Ferizaj, pasi dyshohet për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës gjatë arrestimit të një personi.
Rasti thuhet se ka ndodhur mbrëmë pas mesnate.
“Ngjarja ka ndodhur mbrëmë para mesnatës kur disa zyrtarë policorë edhe pse e kishin sinjalizuar ndaljen e një veture e njëjta nuk ishte ndaluar. Sipas informacioneve të para raportohet se pas disa minutave të përcjelljes nga policia e njëjta veturë është ndaluar dhe se në këtë veturë ndodheshin tre qytetarë. Hetuesit e IPK-së kanë dale në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore lidhur me këtë rast pasi që dyshohet se gjatë arrestimit të personave të dyshuar ka tejkalime të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor ndaj njërit të dyshuar (drejtuesit të automjetit) i cili ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Sipas njoftimit hetimet janë duke u zhvilluar në drejtim të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.
Tutje IPK-ja ka njoftuar se pas konsultave me prokurorinë rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.