Kronikë

Rekomandohet suspendimi i katër policëve në Podujevë, dyshohet se keqtrajtuan dy qytetarë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK)

Inspektorati Policor ka rekomanduar suspendimin e katër policëve. Ata dyshohet se brenda stacionit policor të Podujevës kanë keqtrajtuar dy qytetarë, njëri nga ta i mitur, të cilët ndodheshin në ndalim.

“Informacionet e para për këtë rast IPK i kishte pranuar nga  Policia e Kosovës ku dyshohej se zyrtarët policorë kishin tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës. Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se zyrtarët policorë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe atë  brenda zyrave të stacionit policor kanë keqtrajtuar dy qytetarë (njëri nga ta i mitur) që ndodheshin në ndalim”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Policor të Kosovës

 Hetimet ndaj katër zyrtarëve policorë janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë në procedurë të rregullt me dyshimin për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.