Kronikë

Rasti “Banjska”, dëshmitari “F1” jep dëshminë në seancë të mbyllur

Dëshmitari me kodin “F1” ka dhënë dëshmi të hënën në seancë të mbyllur për publikun, në rastin “Banjska”. Propozimin për përjashtimin e publikut dhe mediave nga seanca e ka bërë prokurori i çështjes, Naim Abazi, pasi ka thënë se në rast të identifikimit, dëshmitarit  i rrezikohet jeta. Këtë propozim e kanë kundërshtuar avokatët e të pandehurve, por e ka mbështetur avokati i njërit prej të dëmtuarve

Seanca e së hënës, për rastin e njohur si “Banjska”, është mbajtur e mbyllur për publikun, pas kërkesës së prokurorit special, Naim Abazi, për ta mbrojtur identitetin e dëshmitarit me kodin “F1”.

Abazi ka thënë se nëse identiteti i dëshmitarit të mbrojtur bëhet publik, atëherë rrezikohen jeta e tij dhe mbarëvajtja e procesit gjyqësor.

Rasti “Banjska” i ka 45 të akuzuar, por procesi është i veçuar vetëm për Blagoje Spasojeviqin, Vladimir Toliqin dhe Dushan Maksimoviqin, pasi të akuzuarit e tjerë gjenden në arrati.

Avokati i Spasojeviqit, Ljubomir Pantoviq, e ka kundërshtuar propozimin e Prokurorisë, pasi, sipas tij, mbrojtja e identitetit të dëshmitarit “F1” mund të sigurohet edhe në mënyra të tjera.

“Meqenëse ekziston mundësia që ky dëshmitar të dëshmojë përmes videolidhjes, me ndryshimin e fotografisë dhe zërit, unë e kundërshtoj këtë propozim të Prokurorisë Speciale. Përveç kësaj, sa i përket çështjes së pyetjeve dhe përgjigjeve të këtij dëshmitari, të cilat eventualisht mund ta zbulojnë identitetin e tij, këtu është trupi gjykues, i cili do të bëjë kontroll të pyetjeve të tilla dhe mund t’i ndalojë ato”, ka thënë Pantoviq.

E avokati Naim Rudari që e përfaqëson policin e dëmtuar, Alban Rashiti, e ka mbështetur propozimin e Prokurorisë, tek e ka dhënë një shembull se si mund të zbulohet identiteti i dëshmitarit edhe në rast se i deformohen fotografia dhe zëri.

“Përveç atyre që i di dhe i ka parë, duhet të dëshmojë edhe nga i ka kuptuar ato dhe konsideroj që pa dyshim do të zbulohet identiteti i tij, po qe se seancat janë publike”, ka thënë Rudari.

Prokurori Abazi ka thënë se mbajtja e seancës pa praninë e publikut dhe mediave është e domosdoshme për dëshminë e dëshmitarit.

“Mbyllja e kësaj seance është absolutisht e domosdoshme, pasi që përjashtimi i individëve të caktuar nga salla nuk do të mjaftonte për ta garantuar mbrojtjen e kërkuar. Dëshmitari është nën masa të veçanta të sigurisë dhe ruajtja e anonimitetit të tij është kusht themelor për paraqitjen e lirë të tij dhe dëshmisë së tij të dhënë në këtë procedurë”, ka deklaruar prokurori Abazi.

Pas një konsultimi pesëminutësh, gjyqtari Arben Hoti ka kumtuar vendimin që propozimi i Prokurorisë është pranuar dhe është kërkuar lirimi i sallës nga të gjithë pjesëmarrësit që nuk janë palë në procedurë.

Prokuroria Speciale më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast, si rezultat i dhunës së përdorur, ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku, e është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile.

Për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, dhe 40 të akuzuar të tjerë ka fletarrestim ndërkombëtar, pasi janë në arrati.