Gjykata Themelore në Prishtinë e ka rrëzuar aktakuzën për shpëlarje parash e falsifikim dokumentesh për tetë të akuzuar në rastin e njohur si “Spitali Amerikan”. Themelorja ka konstatuar se ajo që e kanë bërë të akuzuarit për falsifikim nuk përbën falsifikim, si dhe vlerësoi se duhet të zbatohet Kodi Penal më i favorshëm, ai i vitit 2012, sipas të cilit tashmë ndjekja penale për shpëlarjen e parave është vjetruar
Mbt: Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për rastin “Spitali Amerikan”Shkalla e parë e ka hedhur poshtë aktakuzën për shpëlarje parash e falsifikim dokumentesh për tetë të akuzuar në rastin e njohur si “Spitali Amerikan”.
Në këtë rast të akuzuar janë pronarja e “Medbrand KS”, Edlira Galanxhi-Malaj bashkë me kompaninë e saj, pastaj ndërmarrja “American Hospital Kosova” bashkë me aksionarin kryesor Klodian Allajbeu, drejtori i spitalit, Ilgi Larashi, “Qendra Kardiale e Kosovës”, si dhe drejtorët e pronarët e saj, Ekrem e Korab Lluka.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka konstatuar se hetimi për falsifikim nisi vonë dhe se ndjekja penale ishte e vjetruar që nga fillimi i hetimeve.
“Sipas nenit 106 par.1, nënpar.1.5 të KPK-së të vitit 2012, afati relativ i parashkrimit për vepra penale të dënueshme me mbi një (1) vit e deri në tre (3) vjet burgim, ishte tre (3) vjet. Ndërkaq, prokuroria ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve më dt.12.10.2022, që do të thotë se këto vepra penale tashmë ishin të përfshira me parashkrim absolut, për shkak se i kishin kaluar përkatësisht tetë (8) dhe shtatë (7) vjet nga kryerja e tyre”, thuhet në Aktvendimin e Themelores për rastin “Spitali Amerikan”.
Përveç që e ka konsideruar falsifikimin si vepër të domosdoshme për të ekzistuar vepra penale e shpëlarjes së parave, Themelorja, po ashtu, ka konstatuar se në aktakuzë nuk bëhet e qartë se kush e si ka shpëlarë para.
Trupi gjykues, ndër të tjera, e ka shtruar pyetjen retorike se nga e di prokuroria se prona inekzistente janë blerë pikërisht me paratë me origjinë të jashtëligjshme, kur ato mund të jenë blerë me para të ligjshme.
“Meqenëse bëhet fjalë për kompanitë fitimprurëse, të cilat kanë të hyra të ndryshme vjetore nga veprimtaria e tyre (pra nuk i kanë pasur si burim të vetëm paratë e supozuara të paligjshme), lind pyetja që kërkon sqarim: me cilat prova prokuroria ka vërtetuar se pikërisht me ato para të paligjshme janë blerë “prona imagjinare”, dhe jo me paratë e ligjshme në kuadër të biznesit të tyre? Këtë përgjigje nuk e ka dhënë prokurori, nuk ka argumentuar, e që ky pretendim ngelet vetëm nën suaza të “supozimeve-hamendësimeve”, por jo pretendim i argumentuar me prova të pakontestueshme”, thuhet në aktvendim.
Gjykata ka konstatuar se përderisa nuk keqpërdoret nënshkrimi i personit tjetër, nuk mund të konstatohet vepra penale “falsifikim i dokumentit”.
“Nga arsyetimi i mësipërm qartë rezulton se nuk kemi të bëjmë me falsifikim dokumenti, edhe në ato situata kur dokumenti është nënshkruar nga personi i autorizuar (nënshkrimi është autentik-origjinal), por përmbajtja e tij është e pavërtetë ose e pasaktë. P.sh. : kur mjeku ordinar lëshon certifikatë mjekësore me përmbajtje të pavërtetë, pra kur ajo nuk përkon me gjendjen reale të pacientit.¹ Vepra penale e falsifikimit të dokumentit ekziston vetëm nëse janë përmbushur këto kushte: -i është ndryshuar përmbajtja autentike e dokumentit (duke ia shtuar apo hequr numrat, duke bërë përmirësime, shtuar fjali etj), është ndërruar nënshkrimi (falsifikuar nënshkrimi i dhënësit të dokumentit) ose të dyja njëkohësisht", thuhet në aktvendim.
Prokuroria Speciale pretendon se pesë ndërmarrësit dhe tri bizneset i kanë shpëlarë 3 milionë e 482 mijë euro.
Këtë, sipas Prokurorisë, ata e kanë bërë duke realizuar qarkullim fiktiv mes vete, gjë që, sipas Prokurorisë, ka buruar nga falsifikimi.
Nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, sipas Prokurorisë Speciale, është mundësuar transferimi dhe qarkullimi i parave nga një llogari tek tjetra, me ç’rast një pjesë të parave ata e mbanin në posedim e që tërhiqej në emër të dividendit, të cilën ata e kanë përdorur për blerje patundshmërish.
Prokuroria në një përgjigje për KOHËN ka thënë se do të parashtrojë ankesë ndaj aktvendimit për hedhje të aktakuzës.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale, lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për hedhje të aktakuzës në rastin E. G. dhe të tjerët, do të shfrytëzojë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit. Pra, ankesa do të parashtrohet brenda afatit ligjor, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale”, ka thënë zëdhënësja e prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.