Kronikë

Prokuroria kërkon dënimin e kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, mbrojtja lirimin

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është dhënë fjala përfundimtare në rastin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe Muharrem Rama, të cilët po akuzohen se më 2012 kanë kërcënuar dhe sulmuar të dëmtuarin Dritro Kadolli, të cilit i kanë kërkuar që t’iu jap 30 mijë euro ose një “BMW5”.

Prokurorja Eliza Bajrami ka thënë se qëndron në tërësi pran fjalës përfundimtare, duke propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dy të akuzuarit të dënohen sipas ligjit për veprën penale detyrim.

“Pa mëdyshje të akuzuarit Ademi dhe Rama kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohet dhe të gjitha veprimet e ndërmarra nga të akuzuarit plotësojnë figurën e veprës penale për të cilën ngarkohen”, ka thënë Bajrami.

Gjatë kësaj seance po ashtu janë administruar edhe prova të reja siç janë lajmërimi në polici i Muharrem Ramës më 6 tetor 2012, mesazhi kërcënues i datës 6 tetor 2012 dhe raporti i Agjencisë së Forenzikës i datës 27 dhjetorit 2012.

Avokati i të akuzuarit Ademi, Fis Murati ka thënë se aktakuza është nxjerr në kundërshtim me dispozitat materiale dhe formale.

Sipas tij, ndjekja për veprën penale “Detyrimit” është parashkruar me 12 shtator të vitit 2022 dhe se për veprën penale që akuzohet klienti tij sipas Kodit të Përkohshëm Penal kërkon së paku tre persona për ta kryer të njëjtën e që në rastin konkret kemi vetëm dy të akuzuar.

Ai propozoi që i akuzuari Ademi të lirohet nga aktakuza. Edhe avokati i Ramës, Ramiz Krasniqi ka thënë se më këtë rast mungon elementi thelbësor i veprës penale për çka ngarkohet i akuzuar Rama, pasi sipas tij, nuk ka grup për kryerjen e veprës penale.

Gjykata të mërkurën pritet të shpallë vendimin ndaj dy të akuzuarve.