Mefail Shkodra, një prej tre të dyshuarve për vrasjen e trefishtë në Gjilan, ka pasur pesë raste penale të paraqitura në Prokurorinë Themelore në Gjilan, katër prej të cilave raste janë ngrehur aktakuza, njoftoi kjo prokurori.
Prokuroria Themelore e Gjilanit ka dhënë sqarime lidhur me të kaluarën e Shkodrës, pasi për të ishte raportuar se ishte i njohur për vepra të shumta penale: Prishje e rendit dhe qetësisë publike, dy raste; fajde, tri raste; mashtrim, një rast; kërcënim, tri raste; shantazh, një rast; detyrim, dy raste; pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, një rast.
“Duke marrë shkas nga raportimet lidhur me të kaluarën penale të dyshuarit Mefail Shkodra, njoftojmë opinionin publik se për të njëjtin në Prokurorinë Themelore në Gjilan nga Policia e Kosovës nga viti 2000 janë pranuar gjithsejtë 5 raste penale, në 4 raste janë ngritur aktakuza sipas lëndëve PP.II.300/2005, PP.II.394/2011, PP.II.1091/2014, PP.I.154/17 dhe në lëndën PP.II.913/2023 është zgjidhur në procedurë të ndërmjetësimit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sa u përket të dyshuarve Edonis Shkodra dhe Engjëll Shkodra, Prokuroria ka njoftuar se nuk ka pasur asnjë rast të proceduar për ta në cilësinë e të dyshuarve.
Tre persona janë vrarë të dielën në mesditë nga të shtënat me armë zjarri në Gjilan. Pamjet e kamerave të sigurisë kanë treguar se të dyshuar për vrasjen janë: Mefail Shkodra dhe dy djem të tij, Edonis e Engjull Shkodra. Të tre janë në arrati.