Kronikë

Policia në veri konfiskon veturën me të cilën më herët barteshin para nga Serbia në Kosovë

veture e konfiskuar

Policia e Kosovës ka njoftuar se të hënën në Mitrovicë të Veriut ka konfiskuar një automjet me targa të Serbisë në të cilin ishin të montuar dy kamera dhe pajisje të GPRS. 

Policia ka njoftuar se vetura ishte hasur të premten e kaluar në rrugën “Knjaz Milos”. 

Policia ka njoftuar se personi përgjegjës ka thënë se vetura ishte përdorur me herët për transportimin e pareve nga Serbia në Kosovë.

“Gjatë një pune hetimore kemi kontaktuar me personin gjegjës ku sot me datë 08.09.2025 është paraqitur në Stacionin Mitrovicë/ Veri personi i cili deklaron se vetura është e ‘Narodna Banka Srbije" dhe kjo veturë ishte përdorur më herët për transportimin e parave nga Serbia në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Vetura e tipit “Skoda Octavia”, ngjyrë hiri, thuhet se ishte futur në Kosovë në vitin 2022. Kjo sipas Policisë është në Ligji për Automjete, i cili përcakton se qëndrimi i automjetit me targa të huaja në Republikën e Kosovës më shumë se tre muaj konsiderohet i kundërligjshëm.

“Gjatë kontrollit të detajuar nga zyrtarët policorë, në automjet janë gjetur dy kamerat e vendosura, një DVR dhe një ekran i monitorimit të vendosur në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Privatësinë 06/L-082. Për këtë arsye, në vendngjarje janë ftuar përfaqësues të Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), të cilët kanë konfiskuar pajisjen për procedura të mëtutjeshme ligjore”, thuhet në njoftim. 

Vetura thuhet se është proceduar për në Doganën e Kosovës për veprime të mëtejme.