Kronikë

Policia kap pesë emigrantë në një rimorkio kamioni në terminalin doganor të Ferizajt

Policia /ilustrim

Pesë emigrantë të paligjshëm janë zbuluar të premten në një rimorkio kamioni në terminalin doganor në rrugën “Driton Islami” në Ferizaj, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit, emigrantët u gjetën rreth orës 16:00, kur policia ka pranuar një informacion se brenda rimorkios së një kamioni me targa vendore, mund të ndodheshin persona të dyshuar për qëndrim të paligjshëm.

Pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë reaguese dhe Njësia e Hetimeve nga stacioni policor në Ferizaj.

“Me hapjen e rimorkios, janë gjetur pesë emigrantë pa dokumente identifikimi: tre prej tyre 17-vjeçarë, një 18-vjeçar dhe një 28-vjeçar”, ka njoftuar Policia.

Lidhur me rastin, janë njoftuar prokurori kujdestar dhe njësia për migrim, të cilët kanë ndërmarrë hapat e mëtejshëm procedurialë dhe kanë marrë në trajtim emigrantët si dhe është ndaluar drejtuesi i kamionit, shtetasi kosovar B.B., 38 vjeç.