Një polic ka pësuar lëndime të rënda pasi është goditur nga një veturë të enjten në Pejë.
Policia ka sqaruar se mëngjesin e 19 nëntorit në fshatin Banjë, patrulla e trafikut derisa ishte në pikëkontrolli kishte ndaluar një kamion dhe derisa polici po kryente kontrollin e kamionit jashtë rrugës, një automjet ka ardhur dhe është ndalur. Pasi automjeti është ndalur, një automjet tjetër e ka goditur nga prapa duke e shtyrë drejt policit.
“Me datë 19.11.2025 rreth orës 08:35 minuta në fshatin Banje, patrulla e trafikut, gjersa ishte në pikë kontrolli, kishte ndaluar një kamion (Shliper). ZP gjersa kryente kontrollin e automjetit - kamionit i cili ishte jashtë rrugës, nga drejtimi i Pejës vjen një automjet i cili ndalet. Menjëherë pas tij ishte një automjet tjetër i cili me pjesën e parë ballore e godet automjetin nga prapa automjetin të cilin nga pesha e hedhë në kamionin e ndaluar. Aty ishte ZP. të cilin e përplas për kamion dhe i shkakton lëndime trupore”, kanë thënë nga Policia.
Polici është dërguar në Emergjencën e Pejës e më pas në QKUK.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë kompetente policore, Prokurori i shtetit dhe njësiti i Karabinierëve.
“Mitropoli” ka publikuar videon nga momenti i incidentit. Aty shihet se automjeti i cili godet veturën e ndalur para policit ishte një automjet i KFOR-it. Në pamje shihet se menjëherë pas goditjes polici mbetet shtrirë, ndërsa personeli ushtarak dhe qytetarët i dalin në ndihmë.
Drejtori i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Naser Syla, ka thënë se polici i lënduar është duke u trajtuar në Klinikën e Ortopedisë.