Kronikë

Po kërkohej për vrasje në tentativë, arrestohet 32-vjeçari në Shtime

Arrestimi

Policia e Kosovës, në Shtime ka arrestuar E.M. (32 vjeç), i cili ishte shpallur në kërkim për disa vepra penale, përfshirë kanosje, posedim të narkotikëve, lëndim të rëndë trupor dhe vrasje të mbetur në tentativë.

Arrestimi ndodhi pas një ankese të një qytetari, i cili kishte raportuar se i dyshuari e kishte kanosur. Sipas policisë, "rreth orës 13:30, E.M. shkoi te shtëpia e qytetarit që e raportoi së bashku me një të afërm. Gjatë tentimit për t’u larguar me një veturë të tipit “Pick-up”, ai kishte nxjerrë një armë zjarri dhe ishte arratisur drejt zonës malore të fshatit Zborc".

“Njësitë policore arrestuan fillimisht M.M. (43 vjeç), që dyshohet se e kishte ndihmuar të arratisej. Më pas, me vendosjen e policisë në pika strategjike në fshatin Carralevë, u arrit lokalizimi dhe arrestimi i E.M.-së, pa rrezikuar pjesëtarët e policisë. Gjatë kontrollit, tek i dyshuari u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri me disa fishekë. Sipas autoriteteve, E.M. ishte në kërkim për: Posedim të narkotikëve (Gjykata Themelore në Prishtinë), Lëndim të rëndë trupor (Gjykata Themelore në Ferizaj), Vrasje të mbetur në tentativë (Sektori Rajonal i Hetimeve në Ferizaj)”, thuhet mes tjerash në raportin e Policisë së Kosovës.

Në kërkimin e të dyshuarit mori pjesë edhe komandanti i stacionit atje i cili udhëhoqi pjesëtarët e policisë, ndërsa dy të arrestuarve iu caktua masa e ndalimit 48 orëshe.