Kronikë

Për 18 ditë u sekuestruan 73 motoçikleta në Prishtinë

Motoçikletat e sekuestruara ne Prishtine

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka sekuestruar 73 motoçikleta, nga data 9 korrik deri më 27 korrik, për mungesë të dokumentacioneve, skadim të afatit të regjistrimit dhe të cilat ishin pa kategori përkatëse. 

Policia ka thënë se në zbatim të planit “siguria në trafik” ka pasur në fokus të veçantë motoçikletat dhe prishjen e rendit dhe qetësisë publike. 

“Në kuadër të këtij plani, nga data 09.07.2025 e deri më datë 27.07.2025 janë sekuestruar 73 motoçikleta, për mungesë të dokumentacionit të nevojshëm, skadim të afatit të regjistrimit dhe pa kategori përkatëse. Po ashtu, janë shqiptuar 358 gjoba ndaj drejtuesve të motoçikletave. Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, e veçanërisht tek ngasësit e motoçikletave, t’i respektojnë rregullat e komunikacionit”, ka njoftuar Policia. 

Ndërkohë Policia ka bërë të ditur se nga 21 korriku deri më 27 korrik janë shqiptuar 32 gjoba për prishje të rendit dhe qetësisë. 11 janë shqiptuar ndaj personave juridik dhe 21 ndaj personave fizik. Po ashtu janë sekuestruar pajisjet me të cilat shkaktohej zhurmë. 

“Njësitet policore në kuadër të planit operativ “PRQP”, së bashku me inspektorët komunal që nga data 21.07.2025 e deri më 27.07.2025 kanë shqiptuar 32 gjoba për prishje të rendit dhe qetësisë. Nga këto gjoba 11 janë shqiptuar ndaj personave juridik kurse 21 janë shqiptuar ndaj personave fizik. Në disa prej rasteve, përkundër vërejtjeve që u janë dhënë, subjekte të caktuara kanë ripërsëritur veprimin e njëjtë, andaj u janë sekuestruar pajisjet me të cilat kanë shkaktuar zhurmën dhe janë përdorur në kundërshtim me ligjin. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe disa lokale janë gjetur duke punuar pas orarit të caktuar sipas rregulloreve nga komuna, andaj ndaj tyre janë marrë masa sipas ligjeve në fuqi”, ka njoftuar Policia.