Kronikë

Një pasagjeri në Aeroportin e Prishtinës i zihen stoli argjendi të padeklaruara

stoli argjendi

Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë një kontrolli rutinë në pikën e arritjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, oficerët doganorë kanë identifikuar një rast të mosdeklarimit të mallrave nga një pasagjer që kishte ardhur në Kosovë.

Në njoftim thuhet se atij i është zbuluar një sasi e stolive të argjendit që nuk i kishte deklaruar.

“Gjatë skanimit të bagazhit, u zbulua një sasi e konsiderueshme stoli argjendi, e cila, pas verifikimit, rezultoi të ishte 1.518,89 gramë me një vlerë të faturuar prej 2.457,58 euro. Fatura u prezantua nga vetë pasagjeri vetëm pas zbulimit të rastit, ndërsa shmangia doganore ishte në vlerë prej 732,40 €”, thuhet në njoftim, ku shtohet se pasagjeri ishte përzgjedhur për kontroll pasi fillimisht kishte kaluar në kanalin e gjelbër, të destinuar për udhëtarët pa mallra për deklarim. 

Malli thuhet se është ndaluar dhe do t’i nënshtrohet procedurave të mëtejshme në përputhje me dispozitat e Kodit Doganor dhe Akcizës.

Kundër personit në fjalë është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, ndërsa mallrat do të mbeten nën mbikëqyrje doganore deri në përfundimin e të gjitha procedurave ligjore të parashikuara me legjislacionin në fuqi.