Kronikë

Një muaj paraburgim të miturit për kontrabandimin e pesë kinezëve

Paraburgim

Gjykata Themelore e Ferizajt ia ka caktuar një muaj paraburgim të miturit të akuzuar për kontrabandim të migrantëve. 

I mituri më 21 tetor kishte organizuar kalimin e jashtëligjshëm të migrantëve, pesë persona me shtetësi kineze, në pikëkalimin Kosovë-Maqedoni e Veriut. 

Në komunikatën e gjykatës sqarohet se i mituri fillimisht ishte takuar dhe kishte komunikuar me personat në fjalë në Serbi dhe kishin bërë marrëveshje që për secilin person të marrë pagesë në vlerë prej 20.00 €. Më pas do t’i merrte personat në fjalë nga Serbia, të hynin në shtetin e Kosovës.

Më tutje thuhet se i mituri siguroi një automjet, të cilin e drejtoi një person deri më tani i panjohur, dhe i fusin në veturë që të gjithë migrantët, më pas i dërgoi në drejtim të shtetit të Maqedonisë së Veriut, saktësisht tek vija kufitare Kosovë – Maqedoni e Veriut, ku aty nga njësiti patrollues kufitar janë vërejtur dhe kanë arritur t`i ndalojnë që të gjithë dhe t`i shoqërojnë në stacionin policor kufitar në Rajonin Lindje Kaçanik.