Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurit R. M., shtetas i Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer 11 vepra penale kundër pasurisë.
Sipas kërkesës, i pandehuri thuhet se dyshohet se gjatë periudhës 06-15 korrik, në fshatra dhe lagje të ndryshme të Gjakovës, ka kryer një varg veprash penale të karakterit të njëjtë, duke depërtuar me forcë në shtëpitë e personave të cilët jetojnë jashtë vendit, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të pasurisë.
“Në disa raste, ai ka tentuar të kryejë vjedhje pa arritur të marrë ndonjë send, ndërsa në shumicën e rasteve ka arritur të marrë pasuri të ndryshme që për momentin janë me vlerë të papërcaktuar. Pothuajse në të gjitha rastet, ka depërtuar në hapësira të mbyllura duke thyer dritare apo dyer, veprimet e tij janë regjistruar nga kamerat e sigurisë apo janë vërejtur nga persona që po e mbikëqyrnin pronën”, thuhet tutje në njoftimin e Gjykatës.
Me këto veprime, thuhet se i pandehuri dyshohet se ka kryer një vepër të vjedhjes në tentativë, nëntë vepra të vjedhjes së rëndë dhe një vepër të vjedhjes së rëndë në tentativë.