Një person është plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në orët e mbrëmjes të së hënës në Shtime, ndërkohë pas hetimeve Policia ka arrestuar një të dyshuar të përfshirë në incident.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, ka thënë për KOHËN se rasti ka ndodhur rreth orës 16:40. Sipas tij, në këtë rast Policia ka gjetur dhe konfiskuar një armë të zjarrit që dyshohet se është përdorur në këtë incident.
"Rreth orës 16:40 në një lokal afarist në Shtime, Policia ka marrë informata për gjuajtje me armë zjarri. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku nga dëshmitarët ka kuptuar se një person është dërguar nga qytetarët në ambulancën në Shtime dhe pas ndihmës së parë është dërguar në QKUK në Prishtinë. Sipas mjekëve kujdestar i njëjti ka plagë në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë. Policia menjëherë është vënë në ndjekje të personit të dyshuar dhe i njëjti është arrestuar", ka thënë Gashi për KOHËN. Sipas tij, te personi i dyshuar është vërejtur se ka një lëndim në dorë dhe se ai është dërguar për trajtim mjekësor në ambulancën në Shtime.
Sipas Gashit në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e specializuara, të cilat janë duke marrë informata për ndriçimin e rastit.