Kronikë

Nxirret trupi i pajetë i personit që ra në bunar në Lybeniq të Pejës

Policia

Është nxjerrë trupi i pajetë i personit që ka rënë të dielën në një bunar në fshatin Lypeniq të Pejës.

Zëdhënësi i Policisë për këtë rajon, Fadil Gashi, ka thënë për KOHËN se viktima është e moshës rreth 37-vjeçare.

“Ju njoftojmë se është nxjerrë trupi i viktimës nga bunari. Vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor”, ka thënë ai.

Për nxjerrjen e personit që ra në bunar gjatë ditës janë angazhuar policia, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe zjarrfikësit.

FSK-ja ndihmon në përpjekjet për nxjerrjen e personit që ra në bunar në Pejë

3 o. më parë / 28 sht 2025 20:21
Foto: Driton Paçarada / KD

Njësi të Forcës së Sigurisë së Kosovës po ndihmojnë në përpjekjet për ta nxjerrë personin që ka rënë në bunar në Lybeniq të Pejës. 

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka thënë se në operacionin për shpëtim të personit është përfshirë edhe FSK-ja, por ende nuk ka rezultate.

Në vendngjarje janë edhe policia dhe zjarrfikësit që nga pasditja kur është raportuar rasti pas orës 14:00.

Gashi ka njoftuar se personi ka rënë derisa kanë qenë duke u zhvilluar punimet për hapjen e bunarit, në afërsi të varrezave të fshatit.


Një burrë bie në gropën ku po hapej bunari në Pejë, ende s’dihet për gjendjen e tij

Një person ka rënë në një gropë ku po hapej një bunar në Lypeniq të Pejës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka thënë për KOHËN se thellësia ka qenë e madhe.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të varrezave të fshatit rreth orës 14:00.

“Rreth orës 14:30 minuta, Policia është njoftuar nga një qytetar se në fshatin Lybeniq, gjersa kanë qenë duke u zhvilluar punimet për hapjen e një bunari, në afërsi të varrezave të fshatit, ka rënë një person”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se për gjendjen e viktimës nuk dihet asgjë pasi që ende nuk është nxjerrë nga gropa.