Kronikë

Nga një muaj paraburgim dy të dyshuarve për nxitje të urrejtjes mes grupeve fetare

Është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Speciale për t’ua caktuar masën e paraburgimit dy personave të arrestuar të enjten nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”. Në kërkesën për paraburgim, organi i akuzës ka listuar detaje në lidhje me dyshimet

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar të premten nga një muaj paraburgim Muhamet Musliut e Alban Bibajt, nën dyshimin se e kanë kryer veprën penale “nxitja e përçarjes dhe e mosdurimit”.

Ata akuzohen për gjuhën e përdorur në rrjete sociale, e cila ka nxitur urrejtje në bazë fetare.

Pas seancës, prokurorja e rastit, Fikrije Krasniqi-Fejzullahu, e ka arsyetuar nevojën për paraburgim, kundër të cilës janë deklaruar avokatët. Ajo ka treguar se rastet ndaj të dyshuarve janë të ndara.

“Dy rastet janë të ndara dhe nuk është një rast i përbashkët, por që vepra penale është e njëjtë, mirëpo natyrisht e kryer në mënyra të ndryshme, jo në mënyrë krejt identike”, ka theksuar Krasniqi-Fejzullahu.

Sipas kërkesës së Prokurorisë për paraburgim, të cilën e ka siguruar KOHA, i pandehuri Bibaj dyshohet se prej vitit 2005 e në vazhdimësi ka nxitur dhe ka përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim midis grupeve fetare.

“Ka bërë thirrje për t’iu bashkuar luftërave të armatosura dhe luftës për xhihad, si dhe postime të tjera ku shpërfaq thirrje të fuqishme të ekstremizmit fetar dhe publikisht i përkrah veprimet të cilat janë bërë nga shteti islamik ‘ISIS’, si dhe duke bërë thirrje për të kundërshtuar sistemin demokratik, simbolet shtetërore, si dhe ligjet që votohen apo burojnë nga Parlamenti apo Qeveria e vendit”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për paraburgimin e të dyshuarit Bibaj.

Hollësi janë dhënë edhe në kërkesën e Prokurorisë për të dyshuarin Musliu.

“Ka publikuar fotografi dhe materiale propagandistike që përmbajnë skena të dhunshme, si prerje koke atyre që nuk respektojnë fenë islame, ka bërë thirrje për masakra ndaj hebrenjve dhe të krishterëve, si dhe ka bërë thirrje për të përhapur frikë në tokat joislame, sipas metodave të propagandës së ISIS-it”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Bibaj është arrestuar të enjten në Malishevë, ndërsa Musliu në Fushë-Kosovë, gjatë një operacioni antiterrorizëm, për përfshirje në veprimtari që lidhen me nxitjen e përçarjes, mosdurimit dhe shpërndarjes së propagandës terroriste.