Zjarrfikësit e Prizrenit, edhe gjatë së dielës, janë munduar ta lokalizojnë zjarrin që përfshiu një objekt në këtë qytet, mbrëmjen e së shtunës.
Në afërsi të objektit që më parë ishte fabrikë e barnave, objekti i ish-Konsullatës austro-hungareze është dëmtuar tërësisht, raporton KTV.
Derisa banorët që jetojnë afër, prapa kamerës, kanë thënë se vetëm kanë parë zjarrin dhe se janë frikësuar ngase druanin se mund të arrinte deri te shtëpitë e tyre.
Autoritetet kanë thënë se dyshimet e para janë se zjarri është vënë qëllimshëm.
Faruk Daka, drejtor i Emergjencës dhe Sigurisë në Prizren, madje, tregon edhe për një shqetësim tjetër që e ka adresuar ndër vite.
Toka në të cilën ndodhen këto objekte është e privatizuar, por edhe kështu mbetet zonë e mbrojtur me ligj, andaj për këtë, nga Ministria e Kulturës i kanë thënë KTV-së se janë duke e pritur raportin e detajuar dhe të hënën do të shohin se si do të veprojnë.
Burime të KTV-së kanë thënë se në këtë parcelë planifikohet ndërtimi i objekteve banesore.