Kronikë

Në Belgjikë arrestohet një grup trafikantësh shqiptarë të kokainës

Identifikohen dhe arrestohen krerët shqiptarë të një grupi që dyshohet se merrej me trafikimin e kokainës nga Amerika Latine në drejtim të Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë. Operacioni ndërkombëtar antidrogë i koduar “ATOS” u krye nga Policia e Shtetit të Shqipërisë, Policia belge dhe ajo gjermane, prej datës 15 dhjetor deri më datën 21 dhjetor, në Shqipëri dhe Belgjikë, ku u sekuestruan 232 kg kokainë dhe u arrestuan gjashtë shtetas shqiptarë.

Si rezultat i hetimeve të përbashkëta u bë i mundur identifikimi i krerëve të këtij grupi dhe në këtë kuadër, prej datës 15 dhjetor deri më datën 21 dhjetor 2020. Të dyshuarit u kapën në Belgjikë dhe u vunë në pranga me akuzën për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ata janë shtetasit: Musa Gjikola, 34 vjeç dhe Genti Balliu alias Flamur Balliu, 37 vjeç, banues në Tiranë; Ramazan Rraja, 27 vjeç dhe Fioralb Rraja 24 vjeç , banues në Nikël, Fushë-Krujë; Bledar Pepaj, 29 vjeç, banues në Pukë; Fatmir Xheçuka , 33 vjeç, banues në Laç; K. N. (shtetas lituan) dhe S. C. (shtetas grek). Si dhe shtetasi F. Gj., për të cilin, pas arrestimit, Gjykata ka vendosur gjykimin në gjendje të lirë.

Operacioni i nisur prej vitit 2018 nga strukturat hetimore antidrogë të Policisë së Shtetit u bë nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda (në vijim deri në finalizim nga SPAK-u). Gjatë vitit 2018, antidroga e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Policinë gjermane, ka zhvilluar operacionin policor të koduar “Paraguaj”, si rezultat i të cilit është sekuestruar rreth 1 ton kokainë dhe janë vënë në pranga 10 shtetas shqiptarë. Më pas, operacioni ka vijuar duke u thelluar hetimet, për të identifikuar dhe arrestuar drejtuesit e grupit që merrej me trafikimin e kokainës nga Amerika Latine në drejtim të Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë. Në kuadër të operacionit “ATOS”, në periudha të ndryshme gjatë vitit 2019 dhe vitit 2020 janë sekuestruar nga Policia belge, në bashkëpunim me Policinë shqiptare, rreth 232 kilogramë kokainë, një armë zjarri pistoletë, si dhe rreth 200 mijë euro.

Ky grup dyshohet se funksiononte duke ngarkuar lëndën narkotike në kontinerët e bananeve nga Amerika Latine, duke e fshehur lëndën narkotike në arkat e bananeve dhe në trupin e kontinerëve. Pasi kontinerët e pajisur nga trafikantët me GPS mbërrinin në destinacion, trafikantët, për të mos u identifikuar dhe zbuluar, organizonin vjedhje me armë të lëndës narkotike nga magazinat ose dhomat e pjekjes së bananeve.

Kultivimi i kanabisit në të gjithë Shqipërinë

Kanabisi është droga më e prodhuar dhe e kapur gjerësisht në të gjithë botën. Megjithëse kanabisi prodhohet në pothuajse në të gjitha vendet në të gjithë botën, Shqipëria është veçuar vazhdimisht si një vend jashtëzakonisht i rëndësishëm për burimin e barit të kanabisit që gjendet në Evropë. Gjatë periudhës 2014-2018, Shqipëria u përmend nga shtetet e tjera evropiane si “vendi kryesor i origjinës” të kanabisit që gjendet në tregjet e tyre, e ndjekur nga afër nga Holanda. Në Evropën Perëndimore dhe Qendrore, 24% e të gjitha vendeve kryesore të cituara për origjinën e kanabisit kishin të bënin me Shqipërinë, ndërsa në Evropën Juglindore kjo përqindje u rrit në 61% gjatë periudhës 2014-2018. Kanabisi shqiptar luan një rol të madh në disa vende të rajonit, veçanërisht në Malin e Zi (origjina e raportuar e afro 100% të të gjithë barit të kanabisit të kapur atje në 2017), Kroacia (origjina e 90% e të gjithë barit të kanabisit të kapur në 2018) , Maqedonia e Veriut (70% e të gjithë barit të kanabisit të kapur në 2018), Bosnjë-Hercegovinë (70% në 2017), Greqi (61% në 2018), Hungari (50% në 2017), Austri (50%) në 2017), Itali (16% në 2018), Zvicër (15% në 2018) dhe Rumani (13% në 2017). Edhe Suedia raportoi në mënyrë të përsëritur bar kanabisi që gjendej në territorin e saj kryesisht me origjinë nga Holanda dhe Shqipëria.

Raporti i UNODC, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin, thotë se pas operacionit të suksesshëm në Lazarat në vitin 2014 u konstatua një rritje e çmimeve të kanabisit, (nga €200-300 për kg në 2014 në €1,300 – €2.000 për kg në 2015). Më pas u vu re një kultivim masiv në gjithë vendin, veçanërisht në 2016. Si rrjedhojë, një vit më pas, në 2017 u konstatua dhe kulmi i kapjes së ngarkesave të kanabisit (Për vitin 2017, Shqipëria kapi sasinë e tretë më të madhe të barit të kanabisit në Evropë me 19% të totalit evropian). Në të kundërtën, konfiskimet e barit shqiptar ranë në 20 tonë në 2018 (megjithëse Shqipëria u rendit e shtata për konfiskimet atë vit). Raporti e lidh këtë rënie dhe me uljen e çmimeve të barit të kanabisit që ranë në €100-400 për kg në 2016 dhe €150- 250 kg në 2017. Pas rënies së prodhimit, çmimet filluan të rriteshin sërish në 2018 (€200-700 për kg).

Trafikantët anashkalojnë territorin e Shqipërisë

Raporti i UNODC thekson se Shqipëria ka qenë një vend i rëndësishëm transit përgjatë rrugës më të ngarkuar në botë të trafikut të heroinës, rruga ballkanike, e cila ka origjinën në Afganistan dhe ka Evropën Perëndimore si destinacionin e saj përfundimtar. Por, sipas raportimeve, roli i vendit si transit i heroinës ka rënë dhe Shqipëria përmendet gjithnjë e më pak nga shtete, si Italia dhe Franca, ndërsa raportohet ende nga Zvicra. Por, raporti thekson se në të kundërt, rëndësia e Shqipërisë si një vend transit për kokainën e Amerikës Latine në Evropën Perëndimore duket se është në rritje.

Raporti thekson se grupet kriminale shqiptare kanë fituar rëndësi në trafikun ndërkombëtar të kokainës në një numër vendesh të tjera evropiane vitet e fundit, duke përfshirë Italinë, Gjermaninë, Greqinë, Zvicrën, Belgjikën dhe Austrinë. Në shumë raste, dërgesat e organizuara të kokainës nga grupet shqiptare të krimit të organizuar tani anashkalojnë plotësisht territorin e Shqipërisë.

“Grupet shqiptare të krimit të vendosura në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, kanë vendosur kontroll dhe ndikim në të gjithë vendin në tregun e trafikut të drogës atje, veçanërisht atë i kokainës. Këta kriminelë të organizuar po krijojnë gjithnjë e më shumë marrëdhënie me furnizuesit e kokainës në Amerikën Latine, duke ushtruar më shumë kontroll mbi tregjet”, thuhet në raport.