Izet Sheqiri, pronar i kompanisë që e pati destinacion mishi i nisur nga Brazili, e në pako të të cilit u gjetën 400 kilogramë kokainë, ka ndërruar deklaratën në gjykatë. Në prokurori Sheqiri ka thënë se ishte në dijeni për secilin import, por para gjykatës theksoi se nuk dha aprovim për të gjitha porositë
Deklaratën që e ka dhënë në Prokurorinë Speciale, e ka ndryshuar në gjykatë pronari i kompanisë MC Foods, Izet Sheqiri, i cili është në mesin e të akuzuarve për trafikim të 400 kilogramëve kokainë.
Sasia e narkotikëve me vlerë rreth 20 milionë euro u kap në Lipjan në 2021-tën, ndërsa u ngarkua në Brazil në pako mishi që u destinua për në Kosovë. Ajo u sinjalizua nga DEA amerikane, e cila informoi autoritetet e Italisë, meqë ngarkesa që u mbikëqyr, u transportua në rrugë detare. Kamioni kaloi nga portet italiane, mbërriti në Portin e Durrësit e më pas në Lipjan, te depoja e biznesit të Sheqirit.
Ky biznesmen ka mohuar se e dinte për drogën. Por, tek ka folur për rolin në biznes, ai në Prokurori ka thënë se ishte në dijeni për secilin import, e para gjykatës theksoi se ishte i përfshirë në emaile, por nuk dha aprovim për të gjitha porositë.
“Nëse ju jeni në CC dhe nuk ju pëlqen diçka, një produkt, a mund ta ndaloni si pronar porosinë”, ka pyetur prokurori Valdet Gashi.
“Çmimi, nëse nuk na konvenon, unë e stopoj. Nëse e ka çmimin e shtrenjtë, e ndaloj, duhet më lirë me e marrë. E porosia si porosi, kur është targeti nuk ndalet”, është përgjigjur Sheqiri.
Për disa prej porosive që kishin të bënin me arritjen e targeteve të kompanive të caktuara prej ku furnizohen, Sheqiri e hodhi përgjegjësinë te dy të akuzuar të tjerë – Faton Vrajolli e Hyzri Sheqiri.
“A keni qenë në dijeni për porosinë e mallit ku ka qenë edhe substanca narkotike”, ka pyetur prokurori Gashi.
“Sigurisht po, sigurisht. Por, ky produkt që vjen, është produkt që shitet më ngadalë. Është në supermarkete që shitet, është i procesuar siç thuhet. E për këto, më shumë që e bëjnë porosinë janë Fatoni me Hyzriun, që është shitja dhe importi. Është shitje që i marrim sa për target, që të mos mbajmë në stoqe shumë”, ka thënë ky i akuzuar.
Në seancën që u ndërpre për tri orë, shkaku i mungesës së energjisë elektrike, paraqitjen e mbrojtjes e nisi edhe i akuzuari Kadri Sheqiri, djali i xhaxhait të Izet Sheqirit. Ai tha se punoi si agjent i shitjes në kompani dhe nuk ka pasur asnjëherë qasje në depon e “MC Foods”.
Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi akuzohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal, lidhur me veprën penale shitje, blerje ose posedimi i substancave narkotike.
Dy persona të tjerë janë dënuar për pengimin e hetimit për 400 kilogramët e drogës së rëndë, që u nis nga Brazili dhe u kap në depot e kompanisë “MC Foods”, në Lipjan.