Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Lirohen të dyshuarit për transportin e 1 milion eurove

Dogana e Kosovës, 1 milion euro

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për të caktuar masën e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve të cilën u kapën duke transportuar rreth 1 milion euro në pikëkalimin kufitar në Merdar të mërkurën.

Në vendimin e Gjykatës është thënë se të dyshuarit E.A., A.K. dhe A.L. duhet të lirohen menjëherë pasi nuk ka prova për veprën për të cilën akuzohen. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Prokuroria Speciale ka kërkuar masën e paraburgimit për tre të arrestuarit nën dyshimet për veprën penale “shpëlarja e parave”. Por Gjykata ka thënë se nuk është përmendur asnjë provë sado sipërfaqësore në të cilën Prokuroria e mbështet pretendimin lidhur me dyshimin e bazuar.

“Kërkesës për caktimin e paraburgimit nuk i janë bashkëngjitur as provat minimale për këtë fazë të procedurës, siç janë procesverbali i kontrollit të automjetit e as vërtetimi për sekuestrim të sendeve, të cilat janë prova të domosdoshme për krijimin e bazës për caktimin e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës, duke shtuar se janë të obliguar ta zbatojnë nenin 163 të Kodit të Procedurës Penale që lidhet me caktimin dhe arsyetimin e paraburgimit. 

Të dyshuarit u kapën duke transportuar 1 milion eurot e padeklaruara të fshehura në një hapësirë të modifikuar në dyshemenë e një minibusi. E.A. po drejtonte mjetin. Njëri prej të dyshuarve, A.K., ishte polic në Tiranë që u suspendua pas arrestimit.

Në brendi të minibusit janë gjetur 18 pako me para, të përbëra nga bankënota të ndryshme prej 10, 20, 50, 100 deri në 200 euro, secila me nga një numër të shënuar në qesen me të cilën janë mbështjellë.

Minibusi, i cili po qarkullonte nga Serbia në drejtim të Kosovës, ka qenë pa udhëtarë, gjë kjo që për zyrtarë të Doganës ka përbërë indikacion për kontroll të detajuar.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, ka thënë se identifikimi i këtij rasti është mundësuar falë skanerëve me rreze X, të cilët janë donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) e që kanë filluar punën më 24 janar të këtij viti.