Kronikë

Lirohen nga paraburgimi katër “pelegrinët” serbë që u arrestuan në Gjakovë

Lirohen nga paraburgimi katër “pelegrinët” që u arrestuan në Gjakovë

Gjykata Supreme ka marrë vendim, me të cilin i ka liruar nga masa e paraburgimit katër të pandehurit B.R., N.V., P.K. dhe M.S., të nacionalitetit serb, të cilët u arrestuan më 5 prill në Gjakovë nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj Gjykate, Antigona Uka-Lutfiu.

Gjykata Themelore në Gjakovë më 7 prill 2025 kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatj prej 30 ditësh (secilit veç e veç) katër të pandehurve.

Gjykata kishte njoftuar se të dyshuarit u ndaluan për tejkalim të shpejtësisë dhe gjatë kontrollit u vërtetua se posedojnë armë të ftohta.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se “ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., të nacionalitetit serb, me datën 5 prill 2025, në Rr. “Gasper Karaqi” në Gjakovë, të pandehurit në bashkëkryerje e duke vepruar në kundërshtim me ligjin për armët, posedojnë armë të ftohta, dhe atë një (1) sëpatë, një (1) thikë me këllëf, dhe një (1) thikë sharrë, në atë mënyrë që pas ndalimit nga ana e zyrtarëve policor për shkak se të njëjtit me automjetin e llojit Toyota ngjyrë hiri, i cili drejtohej nga i pandehuri B.R., kishte tejkaluar shpejtësisë në zonën e kufizuar të shpejtësisë dhe pasi ngasësi i veturës gjatë procedimit të rregullt është pyetur nga zyrtarët policor se a posedon diçka ilegale në veturë i njëjti ishte përgjigjur se nuk ka diçka të jashtëligjshme me vete, ku edhe kishte shprehur dëshirën për kontroll të veturës dhe pas një kontrolle të veturës nga ana e zyrtarëve policor janë gjetur mjetet e mprehta të cekura me lartë, ku te njëjtat të pandehurit i kanë mbajtur gjatë vizitës në mënyrë të organizuar në disa nga Manastiret Ortodokse në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime, dyshohen se kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /BetimipërDrejtësi