Kronikë

Kërkohet paraburgim për një burrë dhe një grua në Gjakovë për shantazh

Paraburgim

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar masë paraburgimi prej 30 ditësh për të dyshuarit për shantazh - A.T dhe V.H si dhe ka njoftuar se ka marrë aktvendimin për fillimin e hetimeve.

Sipas kërkesës së Prokurorisë të dorëzuar në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit A.T dhe V.H, më datën 18 korrik “të koordinuar paraprakisht në mes vete me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, kanosin personin tjetër - të dëmtuarën B.H., se do të zbulojnë diçka në lidhje me të, që do të dëmtojë rëndë nderin dhe autoritetin e saj”.

Prokuroria tha se “pasi e pandehura V.H një javë me parë e kishte telefonuar të dëmtuarën, duke iu drejtuar me fjalët ‘unë kam fakte qe ti ke kaluar me 2 - 3 persona dhe nëse nuk mi dërgon 5000 euro këto prova do të ia dërgoj burrit tënd’, në ditën kritike e kishte telefonuar përsëri duke i thënë ‘A vendose për pare’”.

Tutje, thuhet se e dëmtuara “me qëllim që të kuptoj se çfarë po ndodh” i kishte pyetur se ku dëshiron t’ia dërgojë paratë.

Pastaj e pandehura e udhëzon atë t’i dërgojë paratë në një qendër tregtare dhe t’i vendos mes rrobash.

Sipas prokurorisë, gjatë kësaj kohe, e pandehura kishte mbajtur vazhdimisht kontakt me A.T duke e njoftuar për veprimet e saj. Ai i kishte thënë se po niset drejt qendrës tregtare.

Më pas, e pandehura, e cila ishte bashkë me vajzën e saj 9-vjeçare, kishte marrë paratë ashtu siç i kishte vendosur e dëmtuara në rroba.

“Dhe pasi gjen aty zarfin e merr, e fut në xhep dhe fillon të largohet por që pasi zbret në katin e dytë e sheh një zyrtar policor dhe tenton të largohet duke e hedhur zarfin në tokë të cilën ende nuk e kishte hapur por që aty ndalohet nga zyrtaret policorë ku pas pak çastesh arrestohet edhe i pandehuri A.T., i cili kishte ardhur aty”, sipas njoftimit të Prokurorisë.

Për këto veprime, ata akuzohen për veprën penale “Shantazhi”.