Kronikë

Kapen në Leposaviq mbi 220 kg mish derri i kontrabanduar nga Serbia

Mishi i derrit

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të mërkurën në fshatin Zernosek të Leposaviqit ka ndaluar një veturë, ndërsa në të janë gjetur 22 pako me mish derri – secila me peshë afro 10 kilogramë – që ishin kontrabanduar nga Serbia për në Kosovë. 

B.M. (1991) dyshohet se ka hyrë në territorin e Kosovës nga Serbia përmes rrugëve ilegale. 

“Parandalimi i rasteve të kontrabandimit me mallra është një ndër objektivat e Policisë Kufitare, sepse përveç trajtimit penal të rastit, është i rëndësishëm edhe në ruajtjen e shëndetit publik. Lidhur me rastin është kontaktuar prokurori kujdestar i cili ka urdhëruar të hapet rasti ‘Kalimi i paautorizuar i vendkalimit kufitar apo vijës kufitare’, kurse malli dërgohet në terminalin doganor për procedura të mëtejme nga njësitë doganore”, ka njoftuar Policia e Kosovës. 

Më 30 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ndaloi importin e kafshëve të gjalla, si dhe produkteve të derrit nga Serbia, pas paraqitjes së sëmundjeve të "Gjuhës së kaltër" dhe "Murtajës afrikane të derrit" në Serbi.