Kronikë

Zbulohen 300 kilogramë kokainë në portin e Durrësit

Një sasi e madhe kokaine është zbuluar të premten pasdite në portin e Durrësit. Task-Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kufitare e portit të Durrësit, Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë në Durrës dhe autoritetet doganore të Portit, kanë sekuestruar rreth 300 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë. Mësohet se droga u gjet në një kamion që drejtohej nga shtetasi Nazif Ajrofski, 40 vjeç, nga Maqedonia e Veriut, ndërsa ishte fshehur në trupin e mjetit dhe ishte ambalazhuar me logot e disa firmave të njohura veshjesh , si “Dior”, “PSG”, “Chicago Bulls”, etj.

“Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kamionin që drejtohej nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut, Task-Forca gjeti të fshehur në trupin e kamionit, një sasi rreth 300 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë në Durrës, u arrestua në flagrancë drejtuesi i kamionit, shtetasi Nazif Ajrofski, 40 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor në Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Vendore të Policisë së Qarkut në Durrës.

Mjeti i tonazhit të rëndë me targa të Maqedonisë së Veriut thuhet se është nisur fillimisht në Belgjikë, më pas në mënyrë transite ka kaluar në Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri. Itinerari do të përfundonte në Napoli të Italisë, ndërsa është ende e paqartë se do të qëndronte aty, apo do të dërgohej në ndonjë vend tjetër të BE-së.

Kjo është sasia e dytë e madhe e drogës e kapur në rajon brenda një muaji. Një sasi prej 400 kilogramë kokainë u sekuestrua në brendësinë e një kamioni që transportonte mish nga Amerika Latine në qytetin e Lipjanit në Kosovë. Sasia e drogës së fortë kishte kaluar nga porti i Durrësit, por ka qenë nën vëzhgim nga policia. Ngarkesa është mbajtur nën vëzhgim nga Amerika Latine në nisje, në portin e Gioja di Tauro në Kalabri të Italisë dhe më pas në portin e Durrësit, në Shqipëri, ku qëndroi mbi 15 ditë dhe kishte një ngarkesë me mish.

Më herët në prill u kapën 143 kg kokainë në portin e Durrësit, ndërsa po ashtu u kapën edhe më 1 prill një tjetër sasi prej 49 kg kokainë, në pronësi të Selim Çekajt, babait të Arbër Çekajt, i dënuar dhe ky i fundit nga gjykatat shqiptare për trafikimin e 613 kg kokainë.

Rruga është e njohur tashmë, droga kalon përmes kontejnerëve me banane nga Amerika e Jugut në Shqipëri, e më pas transportohet drejt Evropës, ku është edhe tregu më i madh i shpërndarjes.