Gjykata Themelore në Prizren ka publikuar aktgjykimet ndaj Ferzidin Bozës, nga fshati Restelicë i Dragashit, i cili në orët e para të ditës së sotme dyshohet se e vrau nënën e tij duke e rrahur.
Boza, i cili është me probleme mendore, ka qenë tri herë i dënuar nga gjykata për dhunë në familje. Në të tri rastet ishte dënuar me burgim me kusht, pavarësisht se ishte paralajmëruar se do t’i zëvendësohej në burgim efektiv në rast se përsërit veprën penale – të cilën e ka bërë.
Në rastin e parë, të datës 15 korrik 2022, i pandehuri qe shpallur fajtor për lëndim të lehtë trupor. Atij i ishte shqiptuar dënim me burgim prej gjashtë muajsh, i cili nuk do të ekzekutohej nëse brenda dy vjetësh nuk kryente vepër tjetër penale. Po ashtu, gjykata ia pati caktuar masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri për një periudhë dyvjeçare, e cila sipas vendimit do të zbatohej nga Qendra për Shëndetin Mendor në Prizren. "Institucionet përkatëse obligohen të raportojnë rregullisht për gjendjen shëndetësore të tij", sipas vendimit.
Rasti i dytë, i përfunduar më 22 gusht 2022, ka të bëjë me veprën penale të dhunës në familje. Edhe në këtë rast, Ferzidin Boza qe dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, me një periudhë verifikuese prej një viti. Njëkohësisht, ndaj tij ishte shqiptuar masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, e cila do të zbatohej nga Qendra për Shëndetin Mendor në Prizren, me raportime periodike drejtuar gjykatës.
Ndërkaq, në rastin e tretë, të datës 17 tetor 2024, i pandehuri ishte shpallur fajtor për lëndim të lehtë trupor. Atij fillimisht i ishte shqiptuar dënim me burgim prej gjashtë muajsh, në të cilin është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga 30 qershori deri më 25 shtator 2024. Me pëlqimin e të akuzuarit dhe mbrojtjes, gjykata pati vendosur që dënimi me burgim të zëvendësohej me gjobë në shumën prej 2 mijë euro. Nga kjo shumë qe zbritur vlera që korrespondon me kohën e paraburgimit, ndërsa pjesa e mbetur duhet të paguhej pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Gjykata ka bërë të ditur se për zbatimin e masave të shqiptuara janë njoftuar edhe institucionet përkatëse, përfshirë Shërbimin Sprovues dhe Qendrën për Punë Sociale.