Kronikë

I akuzuari shpreh keqardhje, familjarët e viktimës kërkojnë dënim maksimal

Ferizaj, 11 janar - Dita e Bajramit, më 15 qershor 2018, për familjen Ibrahimi nga Ferizaj ishte shndërruar në ditë zie. Atë ditë, ata humbën djalin e tyre 26-vjeçar, Elvedinin, në vendin e tij të punës në një nga kafene të qytetit.

Elvedin Ibrahimin e kishte privuar nga jeta Dardan Shabani nga Ferizaj, duke e goditur së paku nëntë herë me thikë, në shenjë të hakmarrjes pas një konflikti të mëhershëm.

Tani, dy vjet më vonë, Shabani gjykohet për vrasjen.

Për pjesëmarrje në rrahje akuzohen për vepra penale edhe dy shokët e Dardanit, Meriton Murseli dhe Albion Ahmeti.

Nëna e të ndjerit Elvedin Ibrahini, Syrija, të hënën ka marrë pjesë në seancën e radhës në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku gjykohet Dardan Shabani për vrasjen e të birit të saj. Ajo me lot në sy rrëfeu për KOHËN se “Dardani me shokët e vetë” ia vranë djalin i cili ka qenë në vendin e tij të punës, duke e mbajtur rendin si punonjës i sigurimit. Syrija kërkon nga Gjykata Themelore në Ferizaj që kryerësi i veprës penale që ia mbyti djalin të dënohet.

“Kërkoi prej Gjykatës, ju lutem që të shqiptojnë dënimin maksimal, për ta lehtësuar dhimbjen e familjes që e kemi ndaj djalit tonë. Mos të kenë manipulime të tjera, mos të bëjnë gjëra tjera ju lutem. Djali ka qenë duke punuar, kurse ai ka shkuar herën e parë te puna dhe ka bërë gjëra të këqija e probleme, djali jonë i ka folur sigurisht, por ky me dy shokët e vet e kanë rrahë atë, mandej edhe ai e ka rrahë këtë dhe pastaj kjo si hakmarrje në Ditën e Bajramit ka shkuar direkt i ka goditur në gjoks me thikë 11 herë”, ka thënë të hënën Syrje Ibrahimi.

Ajo tha se djali i saj tashmë i ndjerë nuk ka pasur probleme me askënd, dhe e ka përshkruar si person të qetë dhe të urtë. Ajo ka treguar se atë ditë pronari i lokalit ku i punonte i biri e kishte njoftuar familjen se Elvedini kishte një problem me dikë. Kur familjarët kanë arritur te lokali, ambulanca veçse ishte nisur për në QKUK, në Prishtinë. Dhe, kur familjarët kishin arritur në Prishtinë, ishin njoftuar nga stafi mjekësor se Elvedini kishte ndërruar jetë.

“Mua më vjen keq për familjen e Dardanit, por djali i tyre është shumë problem, prandaj kërkojmë nga Gjykata Themelore në Ferizaj ta shqiptojë dënimin e merituar dhe me atë dënim ta lehtësojë dhimbjen tonë dhe të mos kemi vaj mbrapa, sepse edhe djemtë e familjes mund të acarohen kur atë e shohin në liri”, ka shtuar ajo.

Aktakuza

Në aktakuzën e ngritur ndaj Dardan Shabanit, midis të tjerash thuhet se më 15 qershor të vitit 2018, rreth orës 22:10 në kafenenë “n’Konak”, me dashje direkte nga hakmarrja e paskrupullt, ka privuar nga jeta Elvedin Ibrahimin, në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshjeje të para një viti, në të cilën tani i ndjeri e kishte goditur me thikë të pandehurin duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

“I pandehuri në shenjë hakmarrje ditën kritike ka shkuar së bashku me të pandehurin Meriton Murselin dhe Albion Ahmetin në kafiterinë e përmendur ku ishte duke punuar si sigurim fizik tani i ndjeri, me ç’rast e ka nxjerrë thikën me të cilën në mënyrë tinëzare nga hakmarrja e paskrupullt e godet viktimën në pjesën e gjoksit, e cila depërton deri në zemër. Kurse i pandehuri Meritoni dhe Albioni e godasin me mjete të forta si karrige dhe shishe të birrës, kështu që i ndjeri rrëzohet, kurse i pandehuri Dardani e godet edhe tetë herë me thikë në pjesën e shpinës dhe një herë në pjesën e qafës”, thuhet në aktakuzë.

Nga këto lëndime të rënda dhe nga gjakderdhja e brendshme dhe e jashtme pasi dërgohet në QKUK në Prishtinë, ndërron jetë Elvedini. “Me këtë rast kreu veprën penale vrasje e rëndë nga neni 179 par.1, nën par.1.8 i KPRK-së”, thuhet midis të tjerash në aktakuzë.

Gjyqi

Të hënën, Gjykata Themelore në Ferizaj ka mbajtur seancën e radhës ndaj Dardan Shabanit. Për pjesëmarrje në këtë rast akuzohen edhe dy shokët e tij Meriton Murseli dhe Albion Ahmeti, të cilët para trupit gjykues janë mbrojtur në heshtje. Ndaj të akuzuarit Shabani gjatë seancës janë parashtruar një varg pyetjesh të ndryshme nga prokurori i rastit, trupi gjykues dhe nga familjarët e të ndjerit. Ndërkaq pala mbrojtëse e të akuzuarit ka kërkuar nga gjykata rikonstruimin e vendit të ngjarjes, por një gjë e tillë është kundërshtuar nga prokurori i rastit.

Sahit Krasniqi, gjyqtar i këtij rasti, ka thënë se avokati mbrojtës kishte kërkuar që të bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes. Ndërkaq Rasim Maloku, prokuror i këtij rasti, ka thënë se një gjë e tillë është humbje kohe.

“Rikonstruimi i vendit të ngjarjes nuk do të ndihmonte në sqarimin e ndonjë fakti të ri, sepse provat e administruara deri në këtë fazë të procedurës e në veçanti videoincizimet në vendin e ngjarjes kanë sqaruar në mënyrë të plotë gjendjen faktike”, ka thënë prokurori Maloku.

Kërkesën e ka kundërshtuar edhe avokati i familjes Ibrahimi, Xhemajl Ahmeti. “Secili rikonstruim i vendit të ngjarjes pa një prani njerëzore konsiderojmë se nuk do të nxirrte rezultat të ri”, ka thënë Ahmeti.

Para trupit gjykues, edhe i akuzuari Dardan Shabani e ka dhënë versionin e tij lidhur me rastin. “Më vjen shumë keq që ka ndodhur kështu, sikur të isha në vendin e të ndjerit, por kështu paska qenë e shkruar të ndodhë. Fillimisht jam takuar me dy shokët e mi Meriton Murseli dhe Albion Ahmeti për ta festuar festën e Bajramit, ndërkohë e kemi parë në rrjete sociale se qenka një ndejë në këtë kafene. U kam propozuar shokëve dhe kemi shkuar aty. Në hyrje ka qenë sigurimi, por kur kemi hyrë brenda jemi takuar me të ndjerin dhe kemi filluar përleshjen fizike. Ndërkohë pas përleshjes fizike i ndjeri më ka goditur fillimisht mua me thikë e pastaj ia kam marrë atë dhe e kam goditur edhe unë”, ka thënë midis të tjerash ai.