Një 40-vjeçare ka humbur jetën të martën në fshatin Gjonaj të Prizrenit, pasi është goditur nga një veturë.
Rasti ka ndodhur rreth orës 12:50.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka thënë se shoferi i automjetit E.K. është dorëzuar në polici.
“Me datë 02.09.2025, rreth orës 12:50, Policia e Kosovës ka pranuar një informatë për një aksident trafiku në fshatin Gjonaj, komuna e Prizrenit. Patrulla policore e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar se një këmbësore, M.H., rreth 40 vjeç, nga Kabashi i Hasit, ka humbur jetën si pasojë e aksidentit, pasi është goditur nga një veturë derisa ka qenë duke e kaluar rrugën. I dyshuari, E.K., 28-vjeçar nga Zymi i Hasit, drejtues i automjetit të përfshirë në aksident, është dorëzuar në Stacionin Policor të Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor në Prizren. Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë, po ndërmerr veprimet e nevojshme për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit”, ka njoftuar Bytyqi për KOHËN.