Kronikë

Gjendet shtetasi i Shqipërisë që ishte zhdukur para dy ditësh, është në gjendje të rëndë

Gjendet shtetasi i Shqipërisë që ishte zhdukur para dy ditësh, është në gjendje të rëndë

Shtetasi i Shqipërisë, S.P., 30 vjeç, është gjetur të premten në mesditë, pas dy ditësh kërkimesh nga autoritetet e Kosovës.

Siç ka bërë të ditur Policia e Kosovës, shtetasi i Shqipërisë ishte zhdukur mëngjesin e 21 janarit në Jezercë të Ferizajt. Ai ishte larguar nga një vilë dhe besohet se me një veturë të tipit BMW kishte shkaktuar një aksident trafiku.

Pas kontrollit të kamerave të sigurisë në zonë përreth janë kryer verifikime edhe në qendrën emergjente në Ferizaj, Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë e ordinanca private. Nuk ishte raportuar për asnjë të lënduar.

Të premten, një qytetar ka njoftuar autoritetet duke thënë se e ka hasur një person të panjohur në fshatin Budakovë të Suharekës, në afërsi të vendit të quajtur “Gurra e Kadisë”.

Pas verifikimeve është konstatuar se bëhet fjalë për personin nga Shqipëria dhe menjëherë i është ofruar ndihmë mjekësore. Ai po trajtohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj.

Policia ka falënderuar Shoqatën e Kërkim-Shpëtimit si dhe qytetarin B. Osmani që ka lajmëruar se e ka hasur personin e zhdukur.

Ndërkaq kjo shoqatë i ka publikuar disa fotografi nga momenti i gjetjes së personit. Ajo ka bërë të ditur se ai është gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore.